AlbanianSport.com 03.10.2015 20:50
ASNN – Në prag të dy sfidave historike të Shqipërisë në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit 2016, trajnerit të Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, i është dhënë të shtunën titulli “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Evropian i Tiranës, në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytet. I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar rolin e De Biazit në rritjen e Shqipërisë në futbollin botëror, si dhe ka bërë gjithashtu apel për të dëshmuar qytetari në sfidën e 8 tetorit me Serbinë.
Trajnerit të Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, i është dhënë të shtunën titulli “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti Evropian i Tiranës, në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytet. Duke folur në këtë ceremoni, De Biazi e ka cilësuar këtë vlerësim si njohje të punës së bërë nga ai me Kombëtaren kuqezi. “Motivacioni i këtij nderimi thotë: “për rolin tim dhe të Kombëtares në përmirësimin e imazhit të këtij populli, në rilindjen e një ndjenje kombëtare shqiptare, në krijimin e modeleve për të rinjtë e talentuar shqiptarë në të gjithë botën””, – ka theksuar trajneri kuqezi.
“Më vjen shumë mirë që ky kontribut yni është njohur dhe vlerësuar edhe në një mjedis akademik, – ka vijuar De Biazi. – Nga ana ime, jam dëshmitar, por edhe autor, së bashku me të tjerë, për këtë rritje dhe rilindje të kësaj ndjenje kombëtare, jo patriotike, por një ndjenje përkatësie. Për këtë jam krenar.” I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar rolin e De Biazit në rritjen e Shqipërisë në futbollin botëror. Kryeministri ka bërë gjithashtu apel për të dëshmuar qytetari në sfidën e 8 tetorit me Serbinë.