Gjergj Vyshka 03.10.2015 14:25
Tirana, një nga 6 kandidaturat për Botërorin e Peshëngritjes më 2018-n, por cilat janë kandidaturat? Përveç Tiranës dëshirën për organizimin e Kampionatit Botëror të të rriturve në peshëngritje e ka paraqitur Antalia në Turqi, Lima në Peru, Puketi në Tajlandë, Tbilisi në Gjeorgji dhe Tokio në Japoni. Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tomas Ajan, i njohur si mik i shqiptarëve, ka konfirmuar në faqen e Internetit të Federatës Botërore të shtangës se është i lumtur për këto 6 kandidatura që duan të organizojnë Botërorin e Të Rrriturve.
Të gjashta këto kandidatura, mes të cilave edhe Shqipëria, që në gusht të këtij viti kanë shprehur interesin e tyre për të organizuar këtë Botëror. E të gjashta kandidaturat kanë përvojë në organizimin e veprimtarive madhore të peshëngritjes për të rritur. Kështu Antalia ka organizuar Kampionatin Botëror të Të Rriturve më 2010-n, kurse më 2012-n Evropianin e Të Rriturve. Lima, kryeqyteti peruan, nën udhëheqjen e Hoze Kuinones, që është njëkohësisht dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Perusë, më 2013-n ka pritur Botërorin e Të Rinjve, kurse këtë vit Kampionatin Botëror të Rinisë.
Pa thënë që më 2019-n do të zhvillojë dhe Lojërat Pan-Amerikane. Ndërkohë kandidatura aziatike e Puketit në Tajlandë ka organizuar Kampionatin e Azisë në Peshëngritje. Tbilisi ishte organizatori i Evropianit të Peshëngritjes për Të Rritur këtë vit, që u udhëhoq nga Presidenti i Federatës së Gjeorgjisë në peshëngritjes, 3 herë “kampion olimpik”, Kaki Kakiashvili. Dhe më tej akoma, Tirana është kandidaturë sepse ka organizuar Kampionatin Evropian të Të rriturve më 2013-n. Kurse Tokio më 2016-n do të organizojë Kampionatin e Të Rinjve të Azisë në Peshëngritje, ndërsa më 2017-n Kampionatin Botëror të Të Rinjve dhe, më 2020-n, Lojërat Olimpike.