AlbanianSport.com 03.10.2015 18:05
ASNN – Për ish-futbollistin e Kombëtares kuqezi, Edvin Murati, ndeshja midis Shqipërisë dhe Serbisë fitohet me zemër dhe jo me taktikë. Nga Franca e largët, ku tashmë ka ndërtuar jetën e tij, Murati ka treguar në një intervistë për Televizionin Shqiptar emocionet që përjeton pas çdo ndeshje të Kombëtares, ashtu sikundër vlerëson maksimalisht punën e trajnerit De Biazi.
Ndeshja e kombëtares shqiptare me anë serbe është shumë pranë dhe atmosfera ndjehet kudo ku flitet shqip. Në Francë, atje ku jeton ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, Edvin Murati, jehona e kësaj ndeshjeje nuk ka si të mos shkonte. Vetë Murati, i gjendur këto ditë në Shqipëri, shprehet se kjo është një ndeshje që fitohet me zemër dhe jo me taktikë.
Ndërkohë që, për punën e bërë deri tani nga trajnerin e Kombëtares kuqezi, De Biazi, ish-futbollisti i mirënjohur shpjegon se është një punë intensive dhe shumë e mirë e tij. Për të fituar ndeshjet duhet shfrytëzuar çdo moment, sqaron Murati, i cili tregon se Kombëtarja shqiptare ka shumë emra të cilët duhet të përfitojnë nga çdo rast për të shënuar.
Vetë Edvin Murati është autori i golit në ndeshjen e 4 shtatorit 2004, kur Kombëtarja kuqezi mundi Greqinë vetëm 2 muaj pasi ajo u shpall “kampione” e Evropës dhe këtë gol ai e kujton me krenari. Murati gjithashtu I bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë sa më qetë për të treguar se si shqiptarët i presin miqtë.