Muaji tetor ofron në qytetin e Shkodrës organizimin e dy veprimtarive të rëndësishme kombëtare për sportin e boksit. Veprimtaria e parë starton sot, ndërsa rreth orës 17:00 do të nisin ndeshjet e ditës së parë të këtij kampionati, që përfundon të dielën. Por po në Shkodër, tashmë nga data 23, deri më 25 tetor, do të zhvillohet dhe Kampionati i Të Rriturve në boks.
Në pritje të këtyre dy veprimtarive të rëndësishme boksierët shkodranë spostuan ringun e tyre në pikën turistike të Zogajve në breg të liqenit të Shkodrës duke konsumuar një fazë përgatitore shumë efikase për një periudhë mbi dy javore. Trajneri Jozef Sermi që drejton ekipin e të rinjëve së bashku me kolegun e tij Lazarin Vila bën të ditur për “Sport Ekspres” se titulli “kampion” është detyrim për Vllazninë.
Për Sermin, bazuar në nivelin dhe elementin e talentuar që ka formacioni kuqeblu, në ndeshjet e këtij kampionati Vllaznia i premton tifozëve spektakël në ring. Sermi bën të ditur gjithashtu se gjatë dites së enjte në Shkodër kanë mbërritur të gjitha ekipet pjesemarrëse ku, pas akomodimit në hotele, në orët e mbrëmjes përfaqësuesit e gjyqtarisë dhe të Federates Shqiptare të Boksit kanë organizuar hedhjen e shortit. Sot paradite do të bëhet peshimi i boksierëve, ndërsa gjithçka do të nisë sot pasdite.