Gjergj Vyshka 02.10.2015 08:50
Dallohen Mjeshtëria Sportive Durrës e Vllaznia, por dhe Relaksa Dauti, Marko Makaj, Luiza Gega dhe Ilir Këllezi. Tirana është dyfish “kampione” e Shqipërisë në krosin kombëtar në atletikë, që dje në mesditë është zhvilluar në Kodrat e Liqenit në kryeqytet. Ishte veprimtaria e fundit e atletikës për vitin 2015, ndërsa në të kanë marrë pjesë nëntë ekipe. E ato ishin Vllaznia, Skënderbeu, Tirana, Teuta, Mjeshtëria Sportive Durrës, Flamurtari, Elbasani, Besa e Kavajës dhe Kosova.
Vlen të përmendet këmbëngulja e drejtorit të klubit të shumësportëshit të Besës së Kavajës, Fatmir Efica, ndërsa duket se po rilind atletika në këtë qytet me shumë disiplina sportive. Ndaj dhe për këtë gjë presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, ka dashur ta nënvizojë si një risi në “mbretëreshën” shqiptare, e cila vazhdon që vit pas viti të zmadhojë hartën e saj. Ndërkohë për t’u vlerësuar janë dhe Vllaznia me në krye kryetrajnerin Albert Marashi dhe trajnerin Bledar Mesi.
Po kështu është edhe Mjeshtëria Sportive Durrës, si skuadra që arrijnë që vit pas viti të jenë “kampion” të Shqipërisë në Krosin Kombëtar. Jo vetëm kaq, por një vlerësim i veçantë shkon dhe për kampionët e krosit që nga Relaksa Dauti tek Marko Makaj, të cilët janë fituesit për të rinj dhe të reja, por dhe Luiza Gegën dhe Ilir Këllezin fituesit e të rriturve.
Dhe me një përshëndetje për të gjithë gjyqtarët nga kryegjyqtari i garave në krosin kombëtar, Filip Nito, atletika ka ulur siparin e aktiviteteve të vitit 2015.
Rezultatet teknike të Krosit Kombëtar 2015:
4 kilometra të reja
Relaksa Dauti (Tirana) 15’39”72
Si ekip: Tirana 7 pikë
6 kilometra të rinj
Marko Makaj (Teuta) 21’38”97
Si ekip: Mjeshtëria Sportive Durrës 14 pikë
8 kilometra të rritura
Luisa Gega (Tirana) 29’39”10
Si ekip: Tirana 8 pikë
10 kilometra të rritur
Ilir Këllezi (Skënderbeu) 34’45”44
Si ekip: Vllaznia 13 pikë