Gjergj Vyshka 01.10.2015 12:45
Fituesi i vendit të dytë të etapës së parë, që përfaqëson Kosovën, ka refuzuar të tërheqë diplomën, ndërsa ka deklaruar se nuk do ta vazhdojë më këtë Tur të Shqipërisë. Por më pas është tërhequr nga vendimi. Etapa e parë e Rrethit të 72-të çiklistik të Shqipërisë, që është në 90-vjetorin e krijimit të tij, ka nisur mirë, por ka përfunduar me probleme.
Pikërisht në momentin e shpërndarjes së tre diplomave të fituesve të etapës së parë, çiklisti i Kosovës, Ylber Sefa, ka refuzuar të ngjitet në podium. E në momentin që i është thirrur disa herë emri nga qendra e zërit, ndërsa diplomën do t’ia jepte trajneri i Novi Pazarit, Sefa në sytë të të tjerëve ka deklaruar: “Nuk ngjitem në podium të marrë diplomën dhe nuk do ta vazhdojë më Rrethin e Shqipërisë”.
Për dijeni të lexuesit, fituesi i etapës së parë, por që njihet si prologu, të Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë, e cila ishte një garë kronometri individual e që do të llogaritet në klasifikimin e përgjithshëm, është Besmir Banushi i Apolonisë. Në vendin e tretë ka ardhur Stankoviç i Novi Pazarit, ndërsa në Rrethin e 72-të Çiklistik të Shqipërisë marrin pjesë 40 çiklistë, të cilët përfaqësojnë 10 ekipe.
E ata janë Apolonia, Vllaznia, Teuta, Flamurtari, Burreli, Pogradeci, Tirana, Kosova, Novi Pazar e Serbisë dhe Maqedonia. Por përse refuzoi Sefa të ngjitet në podium? Së pari ajo që duhet sqaruar, ashtu sikurse ndodh në të gjitha garat ndërkombëtare, në garën e kronometrit individual çiklistët nisen me diferencën kohe nga njëri-tjetri. Jo vetëm kaq, por trajneri i një skuadre ka të drejtë të shoqëroi vetëm një çiklist.
Në momentin që Sefa është thirrur për t’u bërë gati për garë, furgoni i Kosovës, një Fiat Dukato, ka mbërritur me çiklistin tjetër që ka shoqëruar. Dhe deri në vendosjen e kokores, apo dhe të uniformës, Sefa ka humbur 30 sekonda, të cilat kanë bërë diferencën me vendin e parë. Për t’i dhënë më tepër impulse ka menduar presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, që me makinën e Tiranës e ka shoqëruar nga pas Sefën.
Por duket se kjo nuk ka mjaftuar, ndërsa Sefa, ndoshta e ka pasur më shumë me të tijtë, të cilët duhet të kishin qenë më të kujdesshëm me të se sa me të tjerët, ka refuzuar të ngjitet në podium. Pa thënë që e ka pasur dhe me gjyqtarinë, që sipas tij e ka nisur numërimin e sekondave të nisjes kur çiklisti nuk ishte bërë ende gati. Në një farë mënyrë një nisje jo e mirë e Rrethit që për nga organizimi ishte i përkryer.
Por ndodh dhe kështu, ndërsa jo rrallëherë në Rrethet e Shqipërisë në çiklizëm kanë ndodhur që nuk janë ngjitur në podium, apo dhe që kanë grisur diplomën. Megjithatë Besmir Banushi e ka marrë garën e kronometrit, ndërsa ka hedhur kandidaturën e tij për të qenë fituesi i këtij rrethi, pse jo së bashku dhe me Apoloninë e Kiço Kalemit. E në mbrëmje më pas i pyetur rreth asaj që ka ndodhur, Sefa ka shpjeguar se do ta vazhdojë deri në fund Turin e Shqipërisë me qëllimin për ta fituar atë.
Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë
Rezultatet teknike të etapës së parë (prologut)
Rreth rrotullimi TEG – kthim tek Qendra Kristal
(Tiranë – 12.6 kilometra)
1) Besmir Banushi (Apolonia) 14’29”
2) Ylber Sefa (Kosova) 14’59”
3) Marko Stankoviç (Novi Pazar) 15’04”
Etapat e Rrethi të 72-të Çiklistik të Shqipërisë
Sot Tiranë – Shkodër 94.3 km
2 tetor Shkodër – Burrel 98.3 km
3 tetor Burrel – Durrës 122 km
4 tetor Durrës – Vlorë 118 km
5 tetor Vlorë – Përmet 118 km
6 tetor Përmet – Fier 125 km