Gjergj Vyshka 30.09.2015 16:10
Këtë fundjavë do të nisë kampionati i ri i basketbollit për meshkuj dhe femra. Kampionet në fuqi të basketbollit të femrave, Flamurtari, do ta nisin në fushën e tyre me përballjen ndaj Elbasanit.
Shumë pak ndryshime në skuadrën e Viron Toskës, atje ku është larguar Igena Qypi drejt Goga Basket, si dhe Bruna Komti tek Tirana. Pjesa tjetër e grupit është e plotë, ndërsa trajneri Toska në një intervistë për “Sport Ekspres” tregon objektivat e Flamurtarit
– Në fundjavë nis kampionati i ri, ndërsa ju në fushën tuaj do të prisni Elbasanin…
– Është e vërtetë, ne të shtunën në ora 11:00 në Vlorë do të luajmë përballë Elbasanit. Kthehemi pas një periudhe ndërprerjeje, që nuk ka të bëjë me pushimin, sepse skuadra ka qenë gjithnjë në stërvitje. Dhe themi se jemi gati dhe duam ta nisim sezonin e ri me fitore. Na pret një rrugë e gjatë për të arritur sukseset deri në fund të këtij sezoni.
– Kjo do të thotë se tashmë i keni përcaktuar objektivat…
– Ashtu sikurse në çdo kampionat edhe sivjet qëllimi i Flamurtarit është të dalë kampion. E jo vetëm kaq, por të fitojë të gjitha trofetë. Që nga Kupa e Shqipërisë e deri tek Superkupa. E kemi treguar këtë gjë mjaft mirë gjatë këtyre viteve të fundit dhe do të vijojmë ta kërkojmë vazhdimisht. Skuadra është e plotë dhe pa shumë ndryshime krahasuar me sezonin e kaluar. Ndaj dhe kërkojmë të gjitha trofetë.
– Pra një Flamurtar me pak ndryshime këtë sezon…
– Siç e theksova dhe më sipër, grupi nuk ka shumë ndryshime dhe kjo është gjë e mirë, sepse vajzat e njohin më mirë lojën e njëra-tjetrës. Ndaj dhe këmbëngulim në qëllimin final, atë të fitimit të të gjitha trofeve.
– Ka ndryshime në këtë sezon, ndërsa është Apolonia ajo që largohet. Çfarë do të thotë?
– Një humbje e madhe për basketbollin shqiptar. Ka qenë një rivale e madhe në vitet e fundit, ndërsa me ndeshjet e luajtura me të jo vetëm në Vlorë, por edhe Durrës, i kemi dhënë kënaqësi sportdashësve. Madje edhe sezonin e kaluar, titulli kampion është fituar në përballjen me Apoloninë. E thënë ndryshe është mungesë e madhe.
– Së fundmi, kë shikoni si rivale për titull?
– Rivalët do të kërkojnë të rrëzojnë Flamurtarin nga froni, por ne na intereson vetëm skuadra jonë. Gjatë rrugës do t’i shohim të gjitha kundërshtarët, por tanimë na intereson vetëm Flamurtari dhe ndeshja e parë e kampionatit.