AlbanianSport.com 29.09.2015 10:25
Çuditë në futbollin shqiptar nuk po kanë fund. Federata Shqiptare e Futbollit mori një vendim ekstrem dy ditë më parë duke ndërprerë në mes ndeshjen midis Tepelenës dhe Memaliajt, pasi dy klubet përkatëse që ishin në fushë nuk kishin paguar detyrimet ndaj federatës.
Këtë vendim kreu i Sektorit të Garave në Federatë, Lysien Nurishmi, e quajti normal, por është afërmendsh e kuptueshme që ndeshja mund të mos ndërpritej, për sa kohë ajo ishte luajtur në fraksionin e parë të saj, domethënë ishte zhvilluar pjesa e parë. Përveç kësaj, pyetja shtrohet pse u lejua, në radhë të parë, nisja e ndeshjes.
Ndërprerjen e sinjalizoi punonjësi i deleguar i federatës, i cili kishte shkuar të bënte “ndërmjetësin” me klubet për këtë qëllim. Në fillim atij iu premtua se do të bëhej pagesa, por më pas nuk u mbajt fjala dhe FSHF me urdhër nga lart vendosi ta ndërpresë takimin, si një shenjë të vendosmërisë së saj për të mos toleruar debitorët.
Në historinë e futbollit në Evropë, vështirë se gjendet një rast i dytë që ndeshja të jetë ndërprerë në mes për këtë arsye, për një borxh të cilin FSHF e fshihte prej disa vitesh, por përdori situatën për të marrë masë ekstreme që të ndërgjegjësoheshin të gjithë klubet debitore.