Gjergj Vyshka 28.09.2015 14:20
Antoaneta Stefanova, Mjeshtra e Madhe Ndërkombëtare, e cila mbajti dhe kursin e trajnerëve nga Federata Botërore e Shahut, e ka mbyllur vizitën e saj të parë në Tiranë me një simultane me fëmijët e shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit. 22 fëmijë janë vënë përballë ish-kampiones së botës nga Bullgaria, e cila për dy orë ka luajtur me ta dhe ishte normale që t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Por cilët ishin kundërshtarët e saj?
Ata ishin Joana Lila (Misto Mame), Qazim Meço dhe Drini Demushi (Sabaudin Gabrani 2), Erson Mjekra (Pjetër Budi), Irisa Sevdari (Lasgush Poradeci), Ilia Villa (Mihal Grameno), Albi Bami (Kolë Jakova), Lambjon Salihaj (Hasan Riza Pasha), Florian Petraçaj (Abdyl Bajraktari), Ema Ramizi, Klevis Koroveshi (Fan Noli), Adnan Cala, Fabion Dino (Dhora Leka), Marinel Vasili (Naim Frashëri), Daniel Agolli, Ajkuna Agolli (Hoxha Tasim), Lean Qosja (Don Bosko), Aleks Kote (Naim Frashëri), Kamela Dedaj (28 nëntori), Erisa Shqau (Sandër Prosi), Olta Shqau (Mustafa Greblleshi), Klea Muka (Emin Duraku).
Gjithçka ka qenë nën kujdesin e Kristaq Andonit, Shkëlqim Lazajt dhe Aldo Zadrimës, ndërkohë që Stefanova ka qenë e shoqëruar nga Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, si dhe Erald Dervishi, Elton Babamusta, Rozana Gjergji. Ashtu sikurse në ceremoninë e hapjes ka qenë edhe drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe përgjegjësja e sportit shkollor Elvira Baze.
Drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, ka përshëndetur Federatën e Shahut, jo vetëm për veprimtaritë e saj cilësore, por dhe për këmbënguljen për futjen e shahut si orë mësimi. Dhe më pas ka vijuar simultana, e cila është mbyllur me foto dhe autografe me bullgaren Stefanova.