Gjergj Vyshka 28.09.2015 08:50
Kampionati Evropian i Moshave në Shah, i cili është duke u zhvilluar në Poreç të Kroacisë, pas një dite pushimi është kthyer përsëri në katrorët bardhezi. Për fat të keq duket se pushimi i ka bërë dëm Klean Shuqjen, e cila në grupmoshën e Nën-10-vjeçareve ka barazuar me kandidaten për kandidate mjeshtre, rusen Eva Stefanija.
E tashmë me 4.5 pikë është në vendin e 6-të. Ndërkohë ka barazuar Timoleo Miço për Nën-18-vjeçarët ndaj gjermanit Rafael Lagunov, si dhe Suzana Kërçiku për Nën-16-vjeçaret vajza ndaj holandezes Den Duden Lola. Por, më tej, të gjithë të tjerët janë mundur.
Duke nisur me Tedi Shpatin për Nën-16-vjeçarët me armenin Zhora Ispirijan, Zino Veleshnja tek Nën-14-vjeçarët ndaj estonezit Kiril Shukavin, Vito Deni tek Nën-10-vjeçarët me turkun Anil Joku dhe Adrian Guri tek Nën-8-vjeçarët me maqedonasin Oleksi Popovski.
I vetmi që ka fituar dje ka qenë Pirro Marko për Nën-12-vjeçarët, teksa ka triumfuar ndaj kroatit Ivan Maraviç. Pas 6 turesh, gjendja e pikëve për shahistët shqiptare, është: Klean Shuqja 4.5 pikë, Zino Veleshnja 3 pikë, Timoleo Miço 2.5 pikë, Tedi Shpati, Pirro Marko, Vito Deni dhe Suzana Kërçiku 2 pikë e Adrian Guri 1 pikë.