AlbanianSport.com 27.09.2015 18:55
ASNN – Dje në Korçë volejbolli shqiptar e ka ngritur siparin e tij për sezonin 2015-2016 me Kupën “Donald Suxho”, volejbollistit të famshëm korçar që ka mbrojtur edhe ngjyrat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë tre skuadra shqiptare, Skënderbeu, Studenti dhe Vllaznia, si dhe ekipi maqedonas i Ilirisë së Zherovjanit.
Edhe pse në Korçë nuk ka mbërritur Suxho, ka qenë vetë klubi korçar që ka menduar të zhvillojë këtë kupë me emrin e lojtarit të famshëm. Të katër ekipet kanë nisur dje ditën e parë, teksa u luajtën ndeshjet gjysmëfinale. Sot paradreke është luajtur finalja e trofeut dhe ekipi i Studentit triumfoi ndaj Vllaznisë, duke e fituar kështu këtë turne, duke zhvilluar ndeshje më të mira se rivalët.
Për skuadrën e trajnerit Ylli Tomorri kjo sfidë ishte një test i mirë në prag të përgatitjeve për sezonin e ri e veçanërisht për sfidat ndërkombëtare. Lojtari më i mirë i turneut u shpall Klaudio Qerraxhija i Studentit. Nëna e volejbollistit, që aktualisht ndodhet në Amerikë, dorëzoi trofeun për ekipin fitues. Suxho e ka nisur karrierën pikërisht me Skënderbeun, por në fund ndihmoi Studentin në Kupat e Evropës.