AlbanianSport.com 27.09.2015 18:00
ASNN – Me takimin midis Kukësit dhe Flamurtarit, që u luajt në Stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe që u fitua nga verilindorët me një gol të vetëm, të realizuar 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt me autor Mateus Limën, është mbyllur java e 5-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kukësianët tashmë janë ngjitur në kuotën e 9 pikëve, po aq sa ka edhe Laçi dhe Teuta. Në takimin e parë të së dielës, që ishte i parafundit për javën e 5-të, Laçi i është falur një goli të vetëm, me autor nigerianin Xhejms Adeniji, për të mposhtur Vllazninë.
Takimi i zhvilluar në Pukë, për shkak të rindërtimit të Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës është vendosur nga goli i realizuar nga futbollisti afrikan dy minuta para përfundimit të pjesës së parë. Duhet theksuar se Vllaznia ka qenë e pafat në këtë humbje, pasi ka zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe ka humbur raste të pastra për shënim. Ndërkaq, Tirana ka mundur të shtunën Teutën 2-0, me dy gola të shënuar në pjesën e parë, në takim që u zhvillua në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në dy takimet e tjera të së shtunës, Skënderbeu fitoi 4-1 në Ballsh ndaj Bylisit vendas, ndërsa Partizani triufoi 2-1 në Pukë ndaj Tërbunit. Java e 5-të e Kategorisë Superiore vijon të dielën me dy takimet e fundit. Tirana e ka nisur ndeshjen praktikisht me gol, të realizuar në fund të minutës së dytë nga Gentian Muça, dhe ka vijuar ta thellojë epërsinë në minutën e 28-të, me atë të serbit Karan.
Me këtë epërsi dygolëshe të bardhebluve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nuk do të sjellin gola të tjerë dhe Tirana korr fitoren e dytë në këto 5 javë kampionat. Në fakt, java e 5-të e Kategorisë Superiore ka ngritur siparin me takimin midis Tërbunit dhe Partizanit, që u luajt pasdreke në Stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës dhe u fitua nga të kuqtë kryeqytetas me rezultatin 2-1. Sukaj e kaloi në epërsi Partizanin në pjesën e parë. Ndërsa në të dytën protagonistë është Ditmir Bicaj, i cili shkakton fillimisht një autogol në portën e tij, duke vijuar të shënojë edhe në krahun tjetër golin e fitores së të kuqve.
Kjo javë ka vijuar me takimin e orës 16:00, atë midis Bylisit dhe Skënderbeut, që u luajt në Stadiumin “Adush Muça”. Skënderbeu ka thyer tabunë 17-vjeçare, duke triumfuar madje thellë, 4-1 në Ballsh ndaj vendasve dhe duke ruajtur bilancin e 100 % fitoreve në këto 5 javë të para. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Skënderbeu, me pikë të plota, 15, i ndjekur nga Partizani, me 13 pikë, Laçi, Kukësi dhe Teuta, me nga 9 pikë secila, dhe Tirana me 6 pikë.
Kategoria Superiore
Java e 5-të
Të shtunën, 26 shtator 2015:
Tërbuni – Partizani 1-2
Shënues: Bicaj 57’(a.g.) / Sukaj 26’, Bicaj 75’
Stadiumi “Ismail Xhemali”, Pukë
Bylis – Skënderbeu 1-4
Shënues: Romaul Seara 85’ / Olajinka 3’, S. Lilaj 55’, Salihi 65’, Latifi 87’
Stadiumi “Adush Muça”, Ballsh
Tirana – Teuta 2-0
Shënues: Muça 2’, Karan 28’
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
Të dielën, 27 shtator 2015:
Vllaznia – Laçi 0-1
Shënues: Xhejms Adeniji 43’
Stadiumi “Ismail Xhemali”, Pukë
Kukësi – Flamurtari 1-0
Shënues: Mateus Lima 86’
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H Gsh-Gp Pikë
- Skënderbeu 5 5 0 0 12-32 15
- Partizani 5 4 1 0 9-4 13
- Laçi 5 2 3 0 6-3 9
- Kukësi 5 3 0 2 6-3 9
- Teuta 5 3 0 2 6-6 9
- Tirana 5 2 2 1 6-6 8
- Flamurtari 5 1 1 3 3-4 4
- Tërbuni Pukë 5 1 0 4 5-9 3
- Bylis Ballsh 5 0 1 4 2-11 1
- Vllaznia 5 0 0 5 1-8 0