Përshtatur nga “Top Channel” 27.09.2015 12:30
Beteja për të ndjekur nga afër ndeshjen Shqipëri-Serbi nuk bëhet vetëm për biletat në “Elbasan Arena”, por edhe një vend në ballkonet e pallateve përreth tij. Ashtu siç pritej, interesi për këtë ndeshje është shumë i madh, aq sa nuk do të mjaftonin dhe 4 stadiume për të plotësuar të gjitha kërkesat. Por në Elbasan ka dhe një zgjidhje tjetër për ata që nuk mund të sigurojnë një biletë për këtë ndeshje.
Banorët e pallateve përreth Stadiumit “Elbasan Arena” tregojnë se nuk kanë qenë të paktë tifozët që kanë kërkuar një “biletë” për të ndjekur ndeshjen e fundit të Kombëtares shqiptare, atë ndaj Portugalisë. Ata shprehen se sportdashësit kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia, të cilët kanë paguar deri në 30 euro për të ndjekur ndeshjen nga ballkoni i pallatit.
Akoma edhe më mirë ndeshja mund të ndiqet nga tarraca e pallateve. Pamja aty është “tribuna e ëndërruar” nga çdo tifoz. Por deri aty nuk mund të ngjitet askush, pasi pak ora para ndeshjes tarracat e pallateve bllokohen nga forcat e policisë që monitorojnë situatën. Për ndeshjen ndaj Serbisë, prej kohësh po punohet për një plan të detajuar masash në mënyrë që të mos ketë incidente.
Droni i famshëm i ngritur në Serbi ka barë që Federata Shqiptare e Futbollit të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Pjesë e shqetësimeve të tyre janë bërë edhe 4 pallatet me pamje nga stadiumi. Për shmangien e çdo rreziku që mund të vijë nga këto ballkone mësohet se policia mund të zbatojë dy plane.
Mbikëqyrja e rreptë e këtyre objekteve deri në përfundim të ndeshjes ose boshatisja e tyre përpara fillimit të saj. Tashmë mbetet për t’u parë…