AlbanianSport.com 27.09.2015 07:00
ASNN – Andi Lila është rikthyer bindshëm me PAS Jannina. Futbollisti i Kombëtares kuqezi ishte padyshim më i miri në takimin me Olimpiakosin, edhe pse skuadra e tij u mund me rezultatin 1-5. Lila la shenjë duke shënuar të vetmin gol për PAS Janinën, duke festuar edhe duke bërë shqiponjën me duart e tij, një traditë tashme e futbollistëve kuqezinj.
Ky gjest nuk është marrë mirë opinioni sportiv grek duke e kritikuar. Kjo është ndeshja e dytë e Andi Lilës, pas rikthimit në kampionatin grek. Në këtë takim shënoi edhe një tjetër futbollist shqiptar, tetovari Pajtim Kasami. Ndërkaq, Elseid Hysaj ka qenë një nga më të mirët në fitoren 2 – 1 të Napoli me Juventus. Mbrojtësi ka bërë një paraqitje të mirë në krahun e djathtë duke penguar vazhdimisht aksionet e Pol Pogbasë.
Kjo ka bërë që ai të vlerësohet me notën 6.5 nga e përditshmja e mirënjohur sportive, “La Gazzetta dello Sport”. Elseid Hysaj është kthyer kështu në një titullar të padiskutueshëm për Napolin. Edhe Herolind Shala ka shënuar me Slovan Liberecin në kampionatin çek. Mesfushori i Kombëtares shënoi i pari në sfidën e zhvilluar në fushën e Viktoria Plzenjit, por kjo nuk mjaftoi.
Ekipi vendas arrti të kthente rezultatin duke e mbyllur takimin në favor të tij me rezultatin 2-1. Ky është goli i dytë për Shalën në këtë kampionat. Ndërkaq, përkundër pritshmërive, ka qenë një ditë për të harruar ajo e djeshmja për Lorik Canën dhe Ermir Lenjanin. Nanta e tyre u mund me rezultatin 1-4 në përballjen me Paris SG-në. Por, në pjesën e parë, Cana dhe Lenjani treguan një lojë më të mirë.