Adriatik Balla 26.09.2015 19:50
Skandali i biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi të 8 tetorit ka marrë përmasa të gjera. Është e qartë tashmë se biletat nuk kanë dalë në treg, jo vetëm në pikat e shitjes, por as në Internet, me përjashtim të disa momenteve të caktuara kur “dora e kujdesshme” e burokratëve të Federatës ka lënë mundësinë që ndonjëri të jetë me fat të kapë ndonjë vend pas portave, por sërish bllokim. Me pak fjalë biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi janë shitur me mik, në ambientet e FSHF-së, për të dalë më pas në treg të zi me çmime skandaloze e shumë të shtrenjta, që shkojnë në mbi 1 mijë euro.
Njerëzit e apasionuar pas futbollit, që kanë mbështetur skuadrën përfaqësuese në vazhdimësi dhe tifozë të thekur të skuadrës kuqezi, kanë mbetur pa biletë dhe kjo është një situatë e trishtë e orkestruar nga vetë Federata për interesa përfitimi financiar të zyrtarëve të saj dhe sekserëve të tyre. Pikërisht këta zyrtarë, që fillojnë nga i pari tek i fundit, kanë përdorur me kujdes Policinë dhe SHISH, si dy institucione shtetërore që do të kenë në kontroll mbi ndeshjen, për të lënë të kuptuar se biletat duhet të ishin në duar të sigurta.
Por kjo është vetëm ana sipërfaqësore e problemit, pasi skema e përdorur nga FSHF nuk aplikohet për herë të parë. Gjithnjë ka pasur probleme dhe vazhdimisht ankesa për mënyrën e shitjes së biletave, sidomos në ndeshjet e rëndësishme. Në rrjetet sociale ka një rebelim të tifozëve të Kombëtares, pavarësisht se FSHF ua ka mbyllur gojën një pjese prej tyre, duke joshur me bileta krerët e grupimeve. Duke parë situatën, tifozët kërkojnë organizim për të protestuar kundër FSHF-së, e cila abuzoi me shitjen e biletave dhe në të njëjtën kohë ndikoi drejtpërdrejt që këto bileta të dalin në treg të zi me çmim shumë herë më të lartë, çmim i cili ka arritur në 1 mijë euro.