Adriatik Balla 26.09.2015 09:20
Ndeshja e 8 tetorit ndaj Serbisë pritet me interes të madh nga tifozeria kuqezi dhe të gjithë shqiptarët, pasi është në lojë një kualifikim historik i Shqipërisë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”. Në këtë ndeshje luhen emocione të shumta, për më tepër rëndësia që paraqet kjo përballje në planin nacional, diktuar nga zhvillimet historike dhe natyrisht ngjarjet e vitit të kaluar në stadiumin e Beogradit. Në kuadër të këtij takimi, trajneri Xhovani de Biazi po punon me intensitet të lartë, po ndjek me vëmendje të gjithë futbollistët dhe po mat “kohën” e tyre.
Domethënë De Biazi po kërkon lojtarët më në formë, ata që gëzojnë personalitet në fushë dhe që e kanë në gjak përballjen me serbët. Nga ana tjetër, ai është duke vrojtuar sjelljen psikologjike të lojtarëve, për të gjetur elementët që ngarkohen më pak emocionalisht. Parë në këtë kuadër, mungesa e Mërgim Mavrajt është shumë e rëndësishme, pasi kosovari, me cilësitë e tij teknike dhe gjakftohtësinë e tij mund të ishte njeriu kyç i ndeshjes, por rikuperimi i Mavrajt kërkon ende kohë. Në takimet e fundit një nga mangësitë e Kombëtares ka qenë sulmi.
Kjo, pasi ai nuk po finalizon dhe ka hasur në vështirësi. Cikalleshin e ka dëmtuar fati me shtyllat, duke mos gjetur dot rrugën e rrjetës, kurse sulmuesit e tjerë nuk janë ende në atë lartësi sa ta sfidojnë kavajasin. Megjithatë, ecuria e mirë e Bekim Balajt gjatë ditëve të fundit ka bindur dhe De Biazin të ndryshojë alternativë në repartin sulmues, ndoshta ngaqë shkodrani po tregohet më efikas në kampionatin kroat se sa Cikalleshi në Turqi. Natyrisht, Cikalleshi mbetet edhe pas këtij momenti preferencë e parë.
Por Balaj në këtë moment po tundon De Biazin, i cili, me shumë gjasë mund ta aktivizojë titullar ndaj Serbisë. Padyshim ë në sulm do të jetë një futbollist, pasi De Biazi e ka të shenjtë rreshtimin e tij taktik, por ndryshimi mund të vijë gjatë lojës dhe sipas rezultatit. Shanset e aktivizimit të Balajt ndaj Serbisë janë të mëdha. Për këtë ndihmojnë golat e tij të shumtë të shënuar në kampionatin dhe Kupën e Kroacisë me skuadrën e Rijekës.