Gjergj Vyshka 26.09.2015 07:05
Turi i 5-të i Kampionatit Evropian të Moshave në Shah ka dhënë një tjetër fitore për Klean Shuqjen, e cila ka mundur rusen Ksenija Zeliantova, ndërsa në grupmoshën e Nën-10-vjeçareve është në vendin e katërt me katër pikë. Ndërkohë, dje ka fituar Timoleo Miço për Nën-18-vjeçarët djem ndaj moldavit Dan Tataru.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe Zino Veleshnja për Nën-14-vjeçarët, kur ka fituar ndaj polakut Jakup Garbovskit, si dhe Vito Deni tek Nën-10-vjeçarët ndaj serbit Llazar Davidov. Ndërkaq ka barazuar Suzana Kërçiku për Nën-16-vjeçaret vajza ndaj danezes Jensen Ana Hedelike.
E humbjet kanë ardhur për Nën-16-vjeçarët djem, kur Tedi Shpati është mundur nga rusi Bulat Nizamov, apo kur për Nën-12-vjeçarët djem Pirro Marko është mundur nga italiani Leonardo Bolonjeze, si dhe për Nën-8-vjeçarët djem, Adrian Guri është mundur nga rusi Judin Jakov.
Pas pesë turesh, gjendja e pikëve për shahistët shqiptarë në këtë Evropia është: Klean Shuqja 4 pikë, Zino Veleshnja 3 pikë, Timoleo Miço, Tedi Shpati dhe Vito Deni 2 pikë, Suzana Kërçiku 1.5 pikë, Adrian Guri dhe Pirro Marko 1 pikë. Sot Evropiani i moshave në shah është pushim.