AlbanianSport.com 25.09.2015 19:55
ASNN – Lorik Cana zbret në fushë kundër të shkuarës. Mbrojtësi kërkon suksesin e parë me Nantën kundër Paris SG-së. Ajo ishte skuadra e tij e madhe dhe ajo që e katapultoi në futbollin e rëndësishëm evropian. Lorik Cana kujton me nostalgji kohën kur luante me Paris SG-në, por tani mbrojtësi kërkon ta mundë ish-ekipin e tij.
Kapiteni i kombëtares shqiptare do të zbresë të shtunën në fushë me Nantën në një sfidë të vështirë kundër kampionëve francezë me shpresën për të arritur suksesin e parë me skuadrën e tij të re. “Paris SG ishte klubi im i parë, ku u rrita dhe luajta si profesionist”, – ka deklaruar ai gjatë konferencës së sotme për shtyp.
“Po ashtu, aty fitova trofeun e parë dhe provova emocionet në Ligën e Kampioneve, – ka vijuar gjakovari. – Për këtë ai mbetet një klub i veçantë për mua. Por kjo nuk më pengon që sa herë përballem me këtë skuadër të kërkoj fitoren. Nuk do të jetë ndryshe edhe tani që jam pjesë e Nantës, paçka se ata mbeten favoritë për titullin “kampion”.”
Lorik Cana u transferua te Nanta, pas aventurës së tij te Lacio. Sidoqoftë, rikthimi në Ligën 1 nuk ishte nga më të mirët për mbrojtësin që debutoi në humbjen 2-0 në derbin me Renën. “Pranova të transferohem te kjo skuadër me entuziazëm të madh”, – ka thënë kapiteni i Kombëtares kuqezi.
“Dua të ndihmoj Nantën në objektivat e saj dhe shpresoj që të dalim me një rezultat pozitiv që në këtë ndeshje, – ka vijuar ai. – Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, por duhet të luajmë të gjitha shanset tona.” Bashkë me Lorik Canën në fushë kundër Paris SG-së pritet të zbresë edhe futbollisti tjetër i kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani.