AlbanianSport.com 25.09.2015 18:05
ASNN – Kian Hongian është notarja kineze që ka fituar me dhjetëra medalje në lojërat paraolimpike. Ajo i ka humbur këmbët në një aksident por kjo nuk e ka penguar atë që të apasionohet me sportin dhe të bëhet kampione. Kian Hongian ka humbur këmbët në një aksident që në moshën 4-vjeçare dhe gjyshi i saj, për ta ndihmuar vogëlushen, preu një top basketbolli, me të cilin ajo mund të lëvizte me ndihmën e krahëve dhe patericave prej druri.
Në 2005 historia e Kian u bë mediatike falë një fondi të dhuruar, me të cilin u bë e mundur zëvendësimi i topit të basketbollit me një palë këmbë artificiale. Përveç kësaj, falë dhurimeve të bëra nga populli kinez iu mundësua Kian të regjistrohej në shkollë dhe të afrohej me grupe të ndryshme sportive. “South of The Cloud” një nga skuadrat sportive në Kinë për persona me aftësi të kufizuar e bindi Kian të hynte në rrugën e sportit dhe t’i nënshtrohej seancave stërvitore.
Vajza zgjedh notin por ishte shumë e vështirë të adaptohej me këtë sport. Por dalëngadalë muskulatura e saj filloi të formohej dhe ajo arriti të regjistronte kohë të mrekullueshme në gara të ndryshme. Në shtator 2014 gjatë lojërave paraolimpike Kian fitoi garën në 100 m bretkosë dhe historia e saj u bë e njohur në të gjithë botën. Ajo ka fituar dhjetëra medalje të tjera, në lojërat paraolimpike në të cilat ka marrë pjesë.