Adriatik Balla 25.09.2015 15:20
Hetimet që kanë nisur nga SHBA-të për skandalin e korrupsionit në FIFA, kanë alarmuar zyrtarët e federatës botërore dhe njerëzit e lidhur me të, por nga ana tjetër ka lumturuar disa të tjerë që mendojnë se FIFA ka abuzuar dhe zyrtarët duhet të shkojnë në burg. Në këtë kategori janë dhe disa prej ish figurave të shquara të botës së futbollit, të cilët, të zemëruar me mosinteresimin e kësaj federate kundrejt tyre, por edhe për ngjarje që kanë lënë mbresa në kujtesën e tyre, duan që ky korrupsion masiv të zbardhet dhe fajtorët të dalin para drejtësisë.
Një ndër ta, ish-ylli i sulmit të Brazilit, Romario, fitues i Kupës së Botës me “Selesaon”, ka kujtuar dje se kreu i FIFA-s, Sep Blater, duhet të dënohet për korrupsion dhe se ai lutej vazhdimisht që kjo gjë të ndodhte. Romario ka qenë një nga zërat më kritikë të zviceranit Blater dhe së bashku me Diego Armando Maradonën nuk kanë lënë rast pa përmendur shifrat marramendëse të pastruara nga zyrtarët e lartë të FIFA-s dhe sidomos nga pushteti i fuqishëm ekonomik i papastruar i kreut të këtij institucioni, Sep Blater.
Edhe pse nuk e tha fjalën “kishë”, Romario la të kuptohej se ai lutej atje për arrestimin e Blaterit dhe kalimin e tij para drejtësisë për fatkeqësitë që i ka bërë futbollit, duke e vjedhur atë. “FIFA është e korruptuar. Disa prej tyre janë arrestuar dhe disa të tjerë do t’i ndjekin. Unë shpresoj dhe lutem çdo ditë se Blater do të jetë një prej tyre”, – u shpreh Romario. Por, ish-sulmuesi legjendar i Brazilit të madh të vitit 1994 mendon se edhe Mishel Platini, i cili është kandidat për ta zëvendësuar Sep Blaterin, nuk është i denjë për ta drejtuar FIFA-n.
“Platini është pjesë e kësaj bote të FIFA-s dhe UEFA-s dhe asgjë pozitive nuk ka ndodhur nën mandatin e tyre”, – theksoi Romario. Duket qartë se qëndrimi i tij ka lidhje dhe me raportet e vështira që ai ka pasur gjatë karrierës sportive dhe më pas me dy krerët e federatave më të fuqishme të futbollit botëror. Në kuadër të Botërorit të Brazilit në vitin 2014, Romario pati akuzuar Blaterin se po “rrjep” popullin brazilian në interes të tij, për gjoja krijimin e një Botërori unikal. Në atë periudhë, Romario nuk i miratoi shumat e mëdha të parave të dhëna nga qeveria braziliane për infrastrukturën sportive.
Këto shuma ishin për rikonstruksionin e impianteve apo dhe ndërtimin e stadiumeve dhe terreneve të reja, por Romario pati thënë se populli brazilian është i varfër dhe të varfrit e këtij vendi kishin më shumë nevojë për investime në jetën e përditshme dhe në përmirësim të kushteve sociale se sa në modernitetin e impianteve nga ku fitonte Blater dhe grupi i hajdutëve të tij në FIFA. Deklaratat e tij në atë periudhë e rrezikuan ta çonin në burg për fyerje dhe “shpifje”.