Adriatik Balla 25.09.2015 12:35
FSHF ka njoftuar se ndeshjet e javës së 5-të të Kategorisë Superiore do të luhen të shtunën dhe të dielën, por dy ndeshje janë deri tani të papërcaktuara se ku do të zhvillohen, për shkak të mungesës së stadiumeve.
Kështu, Bylis-Skënderbeu dhe Vllaznia-Laçi nuk dihet se ku do të luhen. Ballshiotët kërkojnë ta presin ndeshjen sipas programit të shtunën në “Adush Muça”, por ky stadium nuk është i licencuar ende nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndërsa ndeshja Vllaznia-Laçi ka gjasa të luhet të dielën në Stadiumin “Ismail Xhemali” në Pukë. Por, nga ana tjetër, i njëjti stadium do të presë të shtunën ndeshjen Tërbuni-Partizani.
Kryendeshja e kësaj jave është ajo midis Tiranës e Teutës, që do të luhet të shtunën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 19:00.