AlbanianSport.com 25.09.2015 11:40
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, e ardhmja e Pep Guardiolës është me përfaqësuesen e Anglisë. Këto raportime shënojnë një tjetër kthesë në spekulimet mbi të ardhmen e trajnerit katalan, i cili, deri më tani ka drejtuar vetëm në nivel klubi dhe jo në nivel përfaqësueseje. Duket se është Federata Angleze e Futbollit ajo po synon t’i besojë Pep Guardiolës drejtimin e përfaqësueses së “Tre Luanëve”.
Nga ana tjetër, Bajerni i Mynihut po kërkon që ta vazhdojë bashkëpunimin me Guardiolën, kontrata e të cilit me bavarezët skadon në verën e vitit të ardhshëm. Por, ekipi gjerman duket se nuk do ta ketë të lehtë ta bindë ish-trajnerin e Barcelonës. Sipas tabloidit britanik, “The Sun”, Federata e Futbollit e Anglisë po synon ta bëjë 44-vjeçarin trajner të përfaqësueses së saj, pas largimit nga ky post të veteranit Roi Hoxhson.
E përditshmja në fjalë raporton se anglezët janë të gatshëm ta paguajnë Guardiolën 10 milionë stërlina (afro 13.5 milionë euro) në vit, për ta patur në krye të përfaqësueses. Duhet theksuar se largimi i katalanit nga drejtimi i Bajernit të Mynihut vitin e ardhshëm është i sigurt edhe për faktin se një ofertë gjithashtu të majme ka bërë edhe klubi anglez i Mançester Sitit, me të cilin, u fol në një moment të caktuar, se Guardiola kishte nënshkruar një parakontratë.