AlbanianSport.com 24.09.2015 15:15
ASNN – Arjola Prenga është kthyer në volejbollin norvegjez, atje ku spikati për 3 sezone, por tashmë ka ndërruar adresë, duke lënë pas kampionen në fuqi, Stod Volejin, por që tashmë është shpërbërë, dhe duke zgjedhur Randabergun. Në një bisedë me AlbanianSport.com, ajo rrëfen se zemra i ka mbetur në Stod, në atë zonë e cila i dha gjithçka, por edhe të cilës ia ktheu me përkushtim dhe me rezultate që shkruan historinë e rrjetës së femrave në vendin nordik.
“Po, jam kthyer përsëri në Norvegji, por jo siç ka ndodhur këto 3 vitet e fundit, pasi nuk kam ardhur në Stod, por në Stavanger, – ka pohuar ajo. – Mua më pëlqen shumë këtu, pasi të gjithë janë treguar të sjellshëm dhe të mirë me mua. Por zemra ime është ende në Stod. Sigurisht, unë ndjehem shumë e trishtuar për mënyrën sesi përfundoi sezoni i kaluar tek Stodi, por edhe sepse Stod Voleji si ekip volejbolli i femrave nuk ekziston më.”
“Kjo ka qenë e vështirë për mua, sepse kam dhënë çdo gjë për të nderuar Stodin dhe fanellën e kësaj skuadre, si lojtare, por edhe kapitene, për të mos përmendur këtu të qenit pjesë e historisë, – ka vijuar më tej 29-vjeçarja në bisedën e saj për AlbanianSport.com. – Të luajturit për Stod Volejin më dha mundësinë për të parë dhe për njohur disa njerëz të mrekullueshëm, të cilët i kam tashmë për zemër. Më besoni kur them që më mungojnë të gjithë.”
“Dhe përfitoj nga rasti të falënderoj këdo që ka treguar dashamirësi ndaj meje, që më ka dhuruar qetësi mendore, që më ka ndihmuar dhe që është kujdesur për mua gjatë 3 viteve që unë isha në Stod, – ka theksuar ajo. – Është e sigurt se unë do të kthehem atje dhe do t’i takoj përsëri, ndonëse më trishton fakti që nuk do të kem mundësi t’i takoj të gjithë ata që kisha shpresuar. Unë jam shumë e kënaqur që kthehem në Norvegjinë “time” dhe të luaj për Randabergun këtë sezon.”
Duke falënderuar të gjithë ata që e bënë të mundur një gjë të tillë, Arjola premton: “Prapëseprapë, unë ndjehem e nderuar të jem pjesë e këtij klubi, e për më tepër sepse ata zgjodhën mua si kapitene. Unë jam super e lumtur që këtu do të kem edhe ish-shoqen time të skuadrës (liberon) Eline Bye dhe është kënaqësi që ne do të luajmë sërish së bashku dhe për të ndihmuar njëra-tjetrën për t’u përmirësuar gjithnjë e më tepër.”
Duhet theksuar se, me skuadrën e saj të re, Arjola Prenga shijoi triumfin e saj të parë, duke fituar turneun miqësor parasezonal, “VestCup 2015”. Ndryshe nga ai i shkuari, që kishte 8 skuadra, sezoni i ri i Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra do të ketë 7 skuadra. Përveç ish-ekipit të Prengës, Stod Volejit, që e fitoi vjet, për të dytin sezon radhazi, titullin me 42 pikë, pas 14 fitoresh në po aq ndeshje ku lëshoi vetëm dy sete, është tërhequr edhe skuadra e Sortlandit dhe ajo e Blind’haimit.
Ndërkohë, janë shtuar dy skuadra të reja, TVN-ja dhe Tënsberg Voleji dhe sezoni i ri i rregullt nis më 10 tetor 2015, për t’u mbyllur më 13 mars 2016. Skuadra e Randabergut, fanellën e së cilës Prenga do ta mbajë këtë sezon, e mbylli sezonin e shkuar në vendin e 4-t, me 26 pikë në 14 javë, falë 9 fitoreve dhe 5 humbjeve, duke bërë një prezantim premtues në debutimin e saj në nivelin më të lartë të volejbollit norvegjez të femrave dhe, me përforcimet e këtij sezoni, është një pretendente për trofe.