Adriatik Balla 23.09.2015 12:05
ASNN – Mesfushori shtatshkurtër, Jahmir Hyka, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer gjatë javëve të fundit në kampionat, si dhe në kupën e Zvicër, duke pikasur si një futbollist me nivel të lartë dhe duke pasur peshë në sukseset e klubit ku aktivizohet, Lucerna.
Ai ishte protagonist në fitoren e Lucernës në fundjavë në kuadër të Kupës së Zvicrës, por ka shënuar edhe në ndeshje të tjera të mëparshme për skuadrën e tij, duke i rikonfirmuar titullar.
Pikërisht gjatë këtyre javëve Hyka ka pasur minutazh të plotë dhe kjo e ka bindur trajnerin e Kombëtares Xhovani De Biazi ta ketë atë në qendër të vëmendjes, duke e përshëndetur për sukseset e tij.
Me siguri që Hyka do të grumbullohet për ndeshjet me Serbinë dhe Armeninë dhe do të jetë një alternativë më shumë në mesfushë. Duke parë gjendjen e tij të mirë, mund të thuhet se ai vë në presion për një vend në formacion Lenjanin ose Roshin, futbollistë që luajnë në krah të këtij reparti.