AlbanianSport.com 22.09.2015 13:45
Skënderbeu fitoi ndeshjen e radhës në kampionat duke qëndruar në krye të renditjes me pikë të plota. Skuadra korçare mundi Tiranën me rezultatin 2 – 1 duke përmbysur rezultatin, pasi bardheblutë shënuan të parët me anë të Fukuit. Ndeshja u barazua nga Berisha pa u mbyllur pjesa e parë dhe në minutat e fundit të së dytës Progni shënoi golin e fitores.
Megjithatë në këtë takim pati edhe raste të tjera për gol dhe ndeshja sipas trajnerëve mund të kishte përfunduar ndryshe. Skënderbeu dha një tjetër provë se mund të quhet sërish pretendenti numër 1 për të fituar titullin “kampion”, ndërsa Tirana tregoi se ka mundësi për të thyer edhe kampionët, veçse ende nuk ka qenë e qëndrueshme. Shkëlqim Muça ishte i pezmatuar, por ende me shpresë pas humbjes 1-2 në Korçë.
““Unë mendoj që meritonim të fitonim dhe lojën, – ka deklaruar ai pas ndeshjes. – Kishim ardhur të fitonim. Duke qenë ndeshja e katërt e kampionatit ishim përgatitur për të marrë maksimumin. Momentin që humbëm një rast të pastër për të mbyllur lojën, e pësuam më pas. Jam i kënaqur në përgjithësi për mënyrën e lojës me lojtarët. Nuk ndryshuam shumë në lojë, ashtu siç filluam edhe e mbyllën.”
“E kishim ndërtuar lojën të tillë që ti kapnim në befasi, – ka vijuar trajneri bardheblu. – Kishim raste për ta mbyllur më parë lojën me Likën dhe Masatën por nuk ia dolëm.” Dhe trajneri i Tiranës fton lojtarët të mos dorëzohen, duke thënë: “Lika nuk shënoi në atë rast dhe pastaj u ndëshkuam. Disa lojtarë nuk janë në nivelin e duhur për momentin. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin në fushën e lojës.”
“Herë humb raste të pastra, herë shënon, – vijoi Muça. – Çdo futbollist ka besimin tim, sepse janë futbollistë që i kam kërkuara vetë në skuadër. – Ekipi po tregon ngritje dhe pse kemi vetëm kaq pikë. Nuk duhet të shqetësohemi për diferencën pasi kampionati është i gjatë. Por nuk duhet të dekurajohemi, pasi ka akoma 32 ndeshje deri në fund dhe kërkoj tifozëve që të na mbështesin.”