Gjergj Vyshka 21.09.2015 07:55
Shqipëria e futbollit të femrave për Nën-19-vjeçaret e ka humbur dhe ndeshjen e tretë Eliminatore në Kampionatin Evropian, ndërsa takimet janë luajtur në Austri. Pas humbjes 1-8 me austriaket dhe 2-4 me Skocinë, tashmë ka ardhur një tjetër disfatë e tonave. Këtë herë nga Ukraina, ndërsa në fakt deri në të 43-tën minutë janë mbajtur fort dhe kanë rezistuar ndaj sulmeve të skuadrës së Zinshenkos.
Pikërisht atëherë kur mendohej se pjesa e parë po përfundonte pa gola, Ukraina ka goditur nëpërmjet Budajevës dhe Poljukoviçit. Dhe jashtë parashikimeve të trajnerit Dede pjesa e parë është mbyllur në disavantazh 0-2. Ndoshta edhe duke parë formën jo të mirë të portieres Raxhimi, Dede ka menduar të fusë Musën, e cila edhe pse i ka bërë ballë presionit ukrainas, skuadër e cila ka kërkuar të shënojë përsëri në portën tonë, është ndëshkuar nga të vetat.
Që do të thotë se në minutën e 67-të ka shënuar Kadolli në portën kuqezi. Vetëm në minutën e parë shtesë Beluli ka shënuar golin e nderit për Shqipërinë. Në përfundim 1-3 për Ukrainën, kurse vajzat kuqezi e kanë përfunduar edhe edicionin e tretë të pjesëmarrjes në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçare me zero pikë.
4 gola të shënuar dhe 15 të pësuar janë treguesit negativ të pjesëmarrjes së kësaj kombëtareje, e cila më tepër se sa për nevojë për të gjetur lojtarë sa andej-këndej ka nevojë imediate për të pasur dhe kampionatin e saj të Nën-19-vjeçareve. Në përfundim një tjetër edicion negativ i kombëtares së Nën-19-vjeçareve në Eliminatoret e Evropianit.
Shqipëri – Ukrainë 1-3
Shënues: Behluli 90’+1 / Budajeva 43’,
Poljukovish 45’+1, Kadolli 67’(a.g.)
Shqipëria: Raxhimi (Musa 46’), Kadolli, Aliu, Lipa, Shega, Zeka (Popa 73’), Domi, Gjegji, Koldashi, Skutina (Kasa 56’), Behluli. Trajner: N. Dede
Ukraina: Bodarçuk, Levitska, Kuda (Kovtun 75’), Limar (Shevçuk 46’), Matvijishin, Ruban, Moknak, Komanda, Holovaç (Nazarenko 70’), Poljukoviç, Budajeva. Trajnere: N. Zinshenko
Gjyqtarë: T. Peterson, J. Aronson (Suedi), S. Telek (Austri)
Kartonë të verdhë: Kadolli, Domi