AlbanianSport.com 11.10.2014 16:15
ASNN – Më 13 dhe 14 tetor, në Akademinë e Futbollit “Brian’s”, do të ketë stërvitje dyditore me italian të ardhur nga Milano, të cilët do të vëzhgojnë talentet e moshës 10-15 vjeç. Kjo Akademi është duke u bërë e njohur jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë vendit. Natyrisht është meritë e ish-futbollistit të Besëlidhjes, Gjergji Filipi, që sot është presidenti i “Brian’s”.
Ai ka ditur që të ofrojë në Akademinë e tij specialistët më të mirë të futbollit shqiptar, të tillë si Nikolin Lorenci, i cili është një figurë e njohur jo vetëm në Lezhë, por dhe në vend. Por jo vetëm kaq, por në gjirin e Akademisë “Brian’s” është dhe Henri Ndreka, një lojtar i kombëtares sonë. Krijimi i kësaj Akademije, apo dhe eksperiencave nga ato, ka bërë që në Lezhë të vijnë specialistë të futbollit italian nga Milano.
Dhe ata janë Ernano Ferrari, Rodolfo Xhorxheti, Tulio Tinti. Ky i fundit është një ndër menaxherët më të mëdhenj të futbollit italian, ndërsa ka emra prestigjioz si Pacini, Pirlo, Toni apo Matri. Tashmë ata janë miq të Akademisë “Brian’s” e në mënyrë të veçantë të presidentit të saj Gjergji Filipi. Ata do të vëzhgojnë talente dhe nëpër Akademitë e tjera në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ardhja e tyre është e qartë se duan të shikojnë punën që bëhet në vendin tonë me talentet, sidomos me moshat 10 deri në 15 vjeç. Nuk duhet harruar që “Brian’s” ka qenë disa herë për turne në Itali. Madje Luis Ndreu, një lojtar i dalë prej “Brian’s”, ka kaluar tashmë tek Sasuolo.