Gjergj Vyshka 20.09.2015 12:05
“Për mua ky ishte Evropiani i dytë në karrierë, sepse kam qenë edhe më parë në Slloveni 2013, sikurse kam qenë i pranishëm edhe në Evropianin e femrave më 2011. Rritja si gjyqtar pasurohet gjithnjë në këto veprimtari.” Gentian Cici, gjyqtari ndërkombëtar i basketbollit shqiptar, ka qenë përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Kampionatin Evropian për meshkuj, që përfundon sonte me finalen e madhe Lituani-Spanjë. Ai ka qenë i përfshirë në grupin C në turin e parë, ndeshjet e të cilit u zhvilluan në Zagreb të Kroacisë.
Dhe ka gjykuar katër ndeshje, tre herë si i dytë dhe një herë si i tretë, ndërsa takimet e tij më të rëndësishme i ka pasur përkrah italianit Lamonika. Dhe ndeshjet e gjykuara prej Cicit ka qenë: Gjeorgji-Holandë 72-78, Slloveni-Gjeorgji 79-68, Kroaci-Maqedoni 73-55 dhe Greqi-Slloveni 83-72. Në karrierën e tij si ndërkombëtar ai e ka Evropianin e tij të dytë për meshkuj, sepse dhe dy vjet më parë ka qenë Slloveni, ndërsa më 2011-n ka qenë në finalet e femrave. Dhe duke qenë gjyqtar i Euro Ligës, atëherë Cici mendon që çdo veprimtari ndërkombëtare është një rritje në CV-në e tij dhe në nivelin e gjykimit.
Ja dhe intervista që ndërkombëtari, por dhe gjyqtari më i mirë i basketbollit shqiptar, ka dhënë për gazetën “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– I vetmi përfaqësues i Shqipërisë në Evropianin e basketbollit për meshkuj keni ju si gjyqtar ndërkombëtar. Çfarë do të thotë për ju personalisht?
– Të jesh pjesë e finaleve të Kampionatit Evropian të Basketbollit për Meshkuj është kënaqësi, por mbi të gjitha edhe krenari, sepse treguam që edhe ne si Shqipëri kemi nivel në gjykim. Megjithatë ky nuk është Evropiani i parë për mua, sepse kam qenë edhe përpara dy vjetësh në Slloveni, sikurse kam qenë edhe në finalet e femrave më 2011-n.
– Vetëm katër ndeshje në turin e parë në grupin C, që ndeshjet i luajti në Zagreb. Më pas çfarë ndodhi?
– E vërtetë që ishin vetëm katër ndeshje në turin e parë në Zagreb. Për fat të keq, sepse e tillë ishte formula, gjysma e gjyqtarëve pas turit të parë duhet të ktheheshin në shtëpi. Pra nga 40 ngelën vetëm 20 për fazën finale. Sinqerisht më vjen keq që nuk munda të jem në fazën finale, por megjithatë jam i kënaqur me paraqitjen time. Pastaj jo gjithçka varet nga unë.
– Sa ju vlejti kjo përvojë në Evropian dhe çfarë pritet më tej?
– Përvojë në gjykim në Kampionatin Evropian është diçka e papërsëritshme. Dhe për mua ka shumë vlera, jo vetëm për tani, por dhe për të ardhme, edhe sepse karriera e gjykimit për mua është ende e gjatë. Në të tillë turne pasurohet edhe CV-ja ime si gjyqtar.
– Të vish nga finalet e Kampionatit Evropian në një testim me gjyqtarët shqiptar është ky pozicioni juaj për t’i parë me një sy ndryshe kolegët e tuaj, të cilët nuk janë në nivelin tuaj?
– Unë kurrë nuk i kam parë kolegët e mi poshtë vetes sime dhe kjo nuk ka për të ndodhur asnjëherë. Gjithashtu nuk do të resht kurrë së mësuari personalisht. Po në të njëjtën kohë nuk do të kursehem kurrë dhe së mësuari gjyqtarët e rinj. Kush ka nevojë tek unë e ka derën e hapur. Unë thjesht jam një koleg i tyre dhe asgjë më shumë.
– Çfarë do të thotë të gjyqtar përkrah Lamonikës në Evropian, që në fakt është në fundin e karrierës së tij si ndërkombëtar?
– Unë e thash dhe më sipër, të gjykosh në Kampionatin Evropian të Basketbollit për meshkuj është kënaqësi e veçantë. Por ama të arbitrosh me Lamonikën është kënaqësi e dyfishtë. Unë nuk e kisha për herë të parë që gjykoja me të. Por është dhe do të mbetet një kënaqësi e pashpjegueshme gjykimi me italianin Lamonika. Siguria dhe thjeshtësia që karakterizon atë është e paimagjinueshme. Por mbi të gjitha ti për të je një shok ekipi, atje ku të gjithë bashkë duhet të bëjmë më të mirën e mundshme për ndeshjen.
– Ku dhe si do të vazhdojë gjykimi ndërkombëtar më tej për ju?
– Normalisht në tetor fillon sezoni i Euroligës, që për mua do të jetë i pesti edicion që arbitroj. Pas një jave, më 25-27 shtator gjyqtarët e Euroligës do të mblidhen në Selanik për klinikën e parë të sezonin. Kjo është për momentin vazhdimësia ime në arenën ndërkombëtare.
– Së fundi, një parashikim për finalen Lituani-Spanjë, apo kishit ndonjë preferencë tuajën për t’u shpallur Kampion Evrope?
– Unë personalisht nuk kisha ndonjë preferencë për sa i përket ndonjë ekipi. Sa për finalen dua thjeshtë që kolegët e mi të bëjnë më të mirën e mundshme në gjykim e më pas le të fitojë më i miri.