AlbanianSport.com 20.09.2015 07:55
ASNN – Janë luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të javës së 4-t të Kategorisë Superiore dhe Partizani mori përkohësisht kreun e renditjes, në pritje të sfidës Skënderbeu-Tirana. Ekipi i trajnerit Sulejman Starova mundi 2-0 Kukësin në takimin e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Më herët Teuta u rikthye te fitorja në takimin me Tërbunin, që u mbyll me rezultatin 3-1 në favor të “Djemve të detit”. Skuadra durrsake përfitoi nga gabimet e kundërshtarit për të shënuar fitoren e tretë në 4 javë kampionat. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Java e katërt do të luajë takimet e tjera të dielën dhe të hënën. Të dielën, Laçi pret Bylisin, në takimin që do të nisë të luhet në ora 16:00, ndërsa sfida tjetër e kësaj dite është ajo midis Flamurtarit dhe Vllaznisë. Kjo ndeshje do të luhet në Stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, që tashmë është gati pas rinovimit të tapetit të gjelbërt.
Për sa i përket super-sfidës tjetër të kësaj jave në Kategorinë Superiore, duelit Skënderbeu-Tirana, ai do të luhet ditën e hënë, për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në mesjavë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.