Gjergj Vyshka 20.09.2015 07:05
Ashtu sikurse ishte parashikuar dhe në kalendarin sportiv të veprimtarive kombëtare për vitin 2015, dje në mjediset e Sallës Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet ka nisur Kampionatin Kombëtar Individual i Pingpongut, nën kujdesin e Federatës Shqiptare e Pingpongut.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, ka falënderuar drejtorin e ri të klubit shumësportësh Tirana, Pirro Koleka, për të gjithë hapësirat e krijuara. Në garën kanë qenë rreth 67 pingpongistë, meshkuj dhe femra, të cilët janë ndarë në katër grupe.
Dhe dy të parat e çdo grupi do të formojnë tetëshen e finales. Për femra gara e titullit kampion do të diskutohet mes Anila Gjokës, Anila Salkut, Liridona Rexhajt, Alba Xhupit, Alketa Koçiut, Arsena Osmenajt, Adelajde Isakut dhe Sabina Tosunit. Kurse për meshkuj do të jenë në garë Dorian Tapia, Andi Kola, Ilir Shabanaj, Jonuz Tufa, Jon Tufa, Pëllumb Haka, Nikolla Haxhillazi dhe Dritan Laska.
“Do të jetë me sistem rrethi, por në këtë fazë ata që në turin kualifikuese kanë qenë në të njëjtin grup nuk do të luajnë me njëri-tjetrin. Pra kampioni, apo kampionia do të shpallet me pikë”, – ka përfunduar Binoshi, kurse kampion në fuqi janë përkatësisht Dorian Tapia dhe Adelajde Isaku.