AlbanianSport.com 19.09.2015 21:25
ASNN – Partizani mori përkohësisht kreun e Kategorisë Superiore, në pritje të sfidës Skënderbeu-Tirana. Ekipi i trajnerit Sulejman Starova mundi 2-0 Kukësin në takimin e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Partizani siguroi 3 pikë të rëndësishme me një rival që ka të njëjtat objektiva, fitimin e trofeve, e, mbi të gjitha titullin “kampion”.
Një ndeshje e luftuar dhe e zgjidhur falë golave të Sebino Plakut në pjesën e parë dhe Xhevahir Sukajt në të dytën me një 11-metërsh. Kukësi ushtroi presion gjatë pjesës së dytë, duke sulmuar nga krahët kundërshtarin, por pa rrezikuar seriozisht portën e portierit Alban Hoxha. Në këtë sfidë pati edhe probleme, pasi një pjesë e tifozëve ultras të Partizanit nuk hynë në stadium.
Kjo, pasi nuk lejoheshin nga policia të merrnin edhe banderolat. Në mbështetje të tyre një grup përkrahësish u larguan nga stadiumi në fundin e pjesës së parë. Më herët Teuta u rikthye te fitorja në takimin me Tërbunin, që u mbyll me rezultatin 3-1 në favor të “Djemve të detit”. Skuadra durrsake përfitoi nga gabimet e kundërshtarit për të shënuar fitoren e tretë në 4 javë kampionat.
Lamçe zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, duke dhënë idenë se durrsakët do ta kishin të lehtë fitoren. Por pukjanët barazuan shumë shpejt, me një gol të Dhramit. Skuadra e Teutës e mblodhi shpejt veten nga goli i pësuar dhe kaloi sërish në epërsi, këtë herë me Artur Maganin, në minutën e 35-të. Në pjesën e dytë, Tërbuni u mundua të rrezikojë me kundërsulme të shpejta, por që u thyen nga mbrojtja durrsake.
Në fund, Gripshi përfitoi nga një gafë e miqve dhe vulosi fitoren 3-1 për Teutën, e cila ngjitet në kuotën e 9 pikëve. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Java e katërt do të luajë takimet e tjera të dielën dhe të hënën. Të dielën, Flamurtari do të luajë ndaj Vllaznisë dhe skuadra vlonjate ka vetëm 1 pikë në 3 ndeshje.
Dhe përballë publikut të saj do të synojë të marrë fitoren e parë në kampionat. Por, nga ana tjetër, Vllaznia nuk ka marrë as edhe një pikë të vetme në këto 3 javë të para dhe pritet të luftojë fort për të nisur ngjitjen. Sfida tjetër e kësaj dite është ajo mes Laçit dhe Bylisit. Për sa i përket super-sfidës tjetër të kësaj jave në Kategorinë Superiore, duelit Skënderbeu-Tirana, ai do të luhet ditën e hënë, për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në mesjavë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.