AlbanianSport.com 19.09.2015 18:05
ASNN – Vetëm një javë pas humbjes në Kukës, Teuta është rikthyer tek 3-pikëshi, pasi ka mundur 3-1 Tërbunin në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, fitorja e tretë në këto 4 javë për bregdetarët e drejtuar nga trajneri Gugash Magani. Lamçe zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, duke dhënë idenë se durrsakët do ta kishin të lehtë fitoren.
Por pukjanët barazuan shumë shpejt, me një gol të Dhramit. Skuadra e Teutës e mblodhi shpejt veten nga goli i pësuar dhe kaloi sërish në epërsi, këtë herë me Artur Maganin, në minutën e 35-të. Në pjesën e dytë, Tërbuni u mundua të rrezikojë me kundërsulme të shpejta, por tentativat e tij u thyen nga mbrojtja durrsake.
Në fund, Gripshi përfitoi nga një gafë e miqve dhe vulosi fitoren 3-1 për Teutën, e cila ngjitet në kuotën e 9 pikëve. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në mbrëmje, duke nisur nga ora 19:00, luhet sfida Partizani-Kukësi, .
Këto që janë edhe dy ekipet që duan të rivalizojnë Skënderbeun për titullin “kampion”. Ndeshja do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, aty ku Kukësi nuk e ka mundur asnjëherë Partizanin. Diferenca mes tyre është vetëm 1 pikë me ekipin kryeqytetas që ndodhet në vendin e dytë.
Java e katërt do të luajë takimet e tjera të dielën dhe të hënën. Të dielën, Flamurtari do të luajë ndaj Vllaznisë dhe skuadra vlonjate ka vetëm 1 pikë në 3 ndeshje dhe përballë publikut të saj do të synojë të marrë fitoren e parë në kampionat. Por, nga ana tjetër, Vllaznia nuk ka marrë as edhe një pikë të vetme në këto 3 javë të para.
Pranda, ajo pritet të luftojë fort për të nisur ngjitjen. Sfida tjetër e kësaj dite është ajo mes Laçit dhe Bylisit. Për sa i përket supersfidës tjetër të kësaj jave në Kategorinë Superiore, duelit Skënderbeu-Tirana, ai do të luhet ditën e hënë, për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në mesjavë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.