AlbanianSport.com 19.09.2015 17:15
ASNN – Sër Aleks Fergusoni ka bërë të ditur, më në fund, arsyen e largimit të tij nga posti i trajnerit të Mançester Junajtid, dhe daljen “në pension”. Ai ka theksuar se do të vazhdonte në postin e trajnerit të “Djajve të kuq”, nëse nuk do të ndodhte vdekja e motrës së gruas së tij.
Skocezi legjendar e përfundoi aventurën e tij të lavdishme më 2013 pas 38 titujve dhe trofeve në 26 sezone në “Olld Treford”. “Do të kisha vazhduar”, – deklaroi Fergusoni për të përditshmen britanike “The Telegraph”. Ai pranoi se nuk pati plane të tërhiqej deri kur ndodhi vdekja e motrës së gruas së tij, Kethi, Bridxhit Robertsonit, më 2012-n.
“E pash Kethin duke shikuar televizorin një natë dhe ajo shikonte lart, – ka rrëfyer skocezi. – E dija se ishte e izoluar. Ajo dhe Bridxhita ishin binjake, e dinit? Por, kur i kam thënë se do të tërhiqem nga futbolli, ajo nuk pati asnjë kundërshtim. E dija se ajo dëshironte që të ndalesha.”
Fergusoni konsiderohet një prej trajnerëve më të mirë në historinë e futbollit. Mançester Junajtid mori një goditje të rëndë në fund të sezonit 2012-2013, kur Sër Aleks Fergusoni u largua përfundimisht nga stoli i “Djajve të kuq”. Drejtuesit e klubit menduan se David Mojes do të ishte pasardhësi i skocezit, por ai qëndroi vetëm 9 muaj në atë pozicion, para se Luis van Gali të merrte drejtimin e ekipit.