AlbanianSport.com 18.09.2015 09:50
ASNN – Zherom Valke është shkarkuar mbrëmë nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, ndërsa në media është folur për përshirjen e tij në një skandal biletash. Shkarkimi i francezit vjen vetëm pak ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Loreta Linç, paralajmëroi edhe arrestime të tjera mbi skandalin e mbiquajtur “FIFA-gejt”.
Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA, është tronditur nga një tjetër skandal, pasi të enjten në mbrëmje vonë është bërë e ditur se Sekretari i Përgjithshëm, Zherom Valke, është shkarkuar nga detyra. Largimi i nr. 2 të këtij organizmi vjen në një kohë kur FIFA është përfshirë nga skandale të njëpasnjëshme dhe kreu i saj, Sep Blater, është aktualisht pa mandat.
Kjo, pasi ka dhënë dorëheqjen që fillim të qershorit dhe është në detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas një njoftimi të FIFA-s, Valke është liruar nga të gjitha funksionet e tij në këtë organizëm, ndërsa në media është folur për përfshirjen e tij në një skandal biletash. Vendimi i marrë nga FIFA ka qenë i menjëhershëm, i shoqëruar edhe nga një episod interesant.
Ky vendim madje e ka detyruar Valken të kthejë avionin “çarter” me të cilin po udhëtonte drejt Rusisë për një veprimtari që shënonte numërimin mbrapsht të 1,000 ditëve deri në nisjen e “Botërorit 2018”. Avokati i Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s ka lëshuar një deklaratë për shtyp, ku klienti i tij mohon kategorikisht përfshirjen në veprime apo transaksione të paligjshme.
Ndërsa vetë organizimi që qeveris futbollin botëror ia ka kaluar çështjen për shqyrtim edhe Komitetit të vet të Etikës. Shkarkimi i francezit vjen vetëm pak ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Loreta Linç, paralajmëroi edhe arrestime të tjera mbi skandalin e mbiquajtur “FIFA-gejt”, i cili sa vjen e po nxjerr në pah fakte të frikshme për futbollin botëror.