AlbanianSport.com 18.09.2015 08:55
ASNN – Me ftesë të Komitetit Olimpik Shqipar, Komiteti Olimpik Evropian (EOC) ka zhvilluar në Tiranë mbledhjen e tij të 3-të vjetore. I ftuar në këtë takim ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka prezantuar përpara anëtarëve të Komitetit Olimpik Evropian projektet e qeverisë që ai drejton për zhvillimin e sportit në vend. Kështu, Komiteti Olimpik Evropian ka zhvilluar mbledhjen e radhës në Tiranë. Ky takim është organizuar me ftesë të Komitetit Olimpik Shqiptar.
Presidenti i EOC-së, Patrik Hiki, ka falënderuar KOKSH-in që bëri të mundur organizimin e këtij takimi. Ai theksoi faktin se Komiteti Olimpik Evropian do të vazhdojë të mbështesë KOKSH me plane dhe projekte në vazhdimësi. Më pas në këtë takim ka folur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka shpalosur para anëtarëve të EOC-së, projektet e qeverisë së tij në drejtim të zhvillimit të sportit në vend. “Kemi patur një situatë të vështirë ekonomike, të trashëguar nga qeveria e mëparshme”, – ka thënë ai.
“E megjithatë ne mendojmë se nuk është luks të investosh në kulturë dhe sport, – ka vijuar kryeministri. – Në gjysmën e parë të mandatit të parë kemi investuar në sport të paktën sa 10 vjetët e fundit së bashku, sidomos në transformimin strukturor të marrëdhënies nxënës, mësues me sportin, duke e futur sportin në shkolla, universitete, duke ecur përpara me programin që synon të krijojë një rrjetëzim solid të njerëzve të angazhuar në aktivitete sportive.”
“Së fundmi, së bashku me Komitetin Olimpik, kemi filluar të punojmë për krijimin e një federate të re, që do të jetë federatë e sportit për të rinjtë, që synon të bëhet një strukturë që do të koordinojë dhe mbështesë idenë e sportit jo vetëm si një veprimtari për profesionistë apo sportistë, por edhe si një veprimtari për mirëqenien e shoqërisë dhe një bashkekzistencë më të mirë të saj”, – ka theksuar kreu i qeverisë shqiptare në vijim të fjalës së tij.
“Besoj fuqimisht që kjo lidhet me kulturën e shoqërisë, lidhet me kuptimin e miqësisë dhe solidaritetit, lidhet me pasjen e një qasje se si dikush mund të fitojë në jetë, duke qenë në një sipërmarrje apo pjesë e një skuadre, pohoi ai. – Në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme për shëndetin. Kryeministri Rama e vuri theksin edhe tek infrastruktura sportive. “Padyshim, në të njëjtën kohë ne kemi nevojë të përmirësojmë infrastrukturën e sportit”, – ka pranuar ai.
“Vetëm Federata e Futbollit ka një infrastrukturë të denjë përsa i përket zyrave dhe vendeve ku i zhvillon veprimtaritë e saj, – tha ai. – Tani po ndërtojmë një qendër të re që e kemi quajtur me ambicie “Parku Olimpik i Tiranës”, ku çdo federatë do të ketë hapësirën e saj. Do të jenë të gjitha bashkë, përveç futbollit, që nuk është vetëm sport, por një industri. Në këtë mënyrë krijojmë kushte shumë të mira pune për Federatat dhe Komitetin.”
Anëtarët e Komitetit Olimpik Evropian i ka përshëndetur edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani, i cili ka vënë theksin tek bashkëpunimi i vazhdueshëm midis tyre.