AlbanianSport.com 16.09.2015 13:05
ASNN – Skënderbeu ndeshet të enjten me Beshiktashin në takimin e parë të vlefshëm për fazën e grupeve të Ligës së Evropës dhe trajneri Mirel Josa ka kërkuar nga skuadra e tij të ndërgjegjësohet për sfidën madhore që e pret. Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, do të nisë të enjten aventurën e saj historike në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, Ligën e Evropës, me takimin ndaj Beshiktashit, të vlefshëm për grupin H. Trajneri Mirel Josa ka kërkuar nga skuadra e tij të ndërgjegjësohet për sfidën madhore që e pret.
Për këtë arsye, trajneri kryeqytetas i korçarëve kërkon një lojë dinjitoze nga ana e skuadrës së tij. Në kuadër të këtij takimi skuadra korçare është përgatitur si duhet dhe e pret me optimizëm, duke besuar se do të regjistrojë rezultat pozitiv në këtë përballje. Turqit do të vijnë për fitore, të paktën kështu kanë deklaruar protagonistët dhe trajneri i tyre, nisur dhe nga eksperienca më e madhe dhe kualitetet e individëve që kanë në përbërjen e skuadrës së tyre, por Skënderbeu nuk trembet dhe do të bëjë më të mirën e tij për të arritur rezultat pozitiv.
Madje vetë trajneri Mirel Josa ka shfaqur siguri për ekipin e tij, duke thënë se grupi do të luajë i qetë dhe me ambicie për rezultat, duke larguar “teorinë” se Skënderbeu do të parkojë “autobusin”. Nga seancat stërvitore të deritanishme, ku Josa ka praktikuar disa skema, është konstatuar se Skënderbeu nuk do të luajë në mbrojtje, përkundrazi, korçarët janë duke menduar të sulmojnë Beshiktashin, në mënyrë që të provojnë fitoren e parë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Takimi i së enjtes do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që ka siguruar të drejtën e transmetimit të një takimi çdo javë të ndeshjeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit përgjatë 3 sezoneve në vazhdim.