AlbanianSport.com 16.09.2015 11:35
ASNN – Rikonstruksioni i stadiumit “Loro Boriçi” vijon me ritme shumë të ngadalta. Për këtë arsye klubi Vllaznia ka reaguar, duke bërë të ditur se nëse vazhdohet kështu, atëherë impuianti nuk do të jetë gati as në vitin 2017. Në fillim u premtua se stadiumi “Loro Boriçi” do të ishte gati për ndeshjen Shqipëri-Serbi të 8 tetorit për Eliminatoret e Euro 2016.
Që në fillim me pak shanse për t’u arritur, ky objektiv dështoi. Më pas u tha se impianti i rikonstruktuar i Shkodrës do të përurohej në nëntor me një miqësore luksi. Por gati dy muaj larg edhe ky premtim pret vetëm dështimin zyrtar. Pamjet që vijnë nga stadiumi nën rikonstruksion flasin vetë. Megjithëse kamerat nuk lejohen të xhirojnë brenda impiantit edhe kaq mjafton për të kuptuar se gjërat nuk janë në vijë.
Edhe me objektivin e dytë kohor drejt sfumimit, ajo që shqetëson më shumë është ritmi i ulët me të cilin po punohet për rikonstruksionin e Stadiumit “Loro Boriçi”. Por nëse Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy sfidat e fundit në eliminatoret e Euro 2016 në “Elbasan Arena” dhe se miqësorja e luksit në nëntor do të ishte vetëm simbolike, ajo që po vuan më shumë vonesat në rikonstruksionin e impantit është Vllaznia.
Skuadra shkodrane luan jashtë qytetit ndeshjen e saj, ndërsa sipas klubit kjo sjell pasoja negative në aspektin sportiv dhe financiar. Me anë të këtij reagimi zyrtar, klubi Vllaznia shpreson të verë në lëvizje organet kompetente në mënyrë që punimet të përshpejtohen dhe stadiumi të jetë gati sa më shpejt të jetë e mundur.