Gjergj Vyshka 16.09.2015 07:50
Alban Hoxha i peshës 69 kg, Krenar Shoraj i peshës 85 kg dhe Emanuel Lushi i peshës 62 kg të shoqëruar nga trajneri i kombëtares së peshëngritjes, Ilir Çela, dje kanë qenën në qendrën e mjekësisë sportive pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve. Me kërkesë të trajnerit Çela, por dhe drejtuesve të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (“janë djegur prej qullit e po i fryjnë kosit”, thotë një shprehje e urtë popullore), të tre këto shtangistë i janë nënshtruar kontrollit antidoping të kryere nga shefi i laboratorit antidoping në Tiranës, mjeku Mel Ostreni.
“Ne i kemi prerë biletat për të shkuar në Klaipeda të Lituanisë, – thotë Çela, – por kush del pozitiv nuk ka për t’u ngjitur në atë avion. Përgjigjet vijnë për dy ditë”. Në një farë mënyre këto analiza duhet të ishin bërë në anonimat të plotë dhe jo kështu hapur e të deklaruar nga trajneri. Sepse ka të ngjarë që më pas përgjigjet të mos përputhen me atë që do të mund të bëhet në përfundim të garës së Evropianit të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve në Lituani. Siç dhe ka ndodhur në shumicën e rasteve të veprimtarive ndërkombëtare të peshëngritjes, shto këtu dhe Botërorin e Kazakistanit, atje ku na u ndëshkuan medalistët Godelli e Begaj, si dhe Pulaku.
E për rrjedhojë sot peshëngritja shqiptare duhet të luftojë shumë për të arritur normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Sepse, të paktën edhe sipas trajnerit të kuqezinjve Ilir Çela, një normë kualifikimi arrihet vitin e ardhshëm vetëm me Evropianin e Norvegjisë. “Pasi në Botërorin e të rriturve në Hjuston do të jetë e vështirë. Ne na janë hequr të gjithë pikët e Kazakistanit për shkak të problemeve të dopingut, sikurse ikën dhe medaljet. Megjithatë një normë kualifikimit peshëngritja do ta marrë për në Rio de Zhaneiro 2016”, – tregon me plot besim trajneri elbasanas Ilir Çela, i cili është njëkohësisht dhe inspektor i sporteve në Bashkinë e këtij qyteti.