AlbanianSport.com 15.09.2015 21:20
ASNN – Në fakt, konferencat për shtyp të Zhoze Murinjos janë më të bukura se loja që Çellsi i tij bën në fushën e blertë. I mbiquajtur “Speciali”, që e ka nisur sezonin me probleme, si përsa u përket rezultateve, mjekes së skuadrës, apo ikjes nga intervistat para apo pas ndeshjeve, edhe njëherë ka qenë në qendër të vëmendjes me thumbimet e tij kundrejt rivalëve, por edhe me përgjigjet që iu ka dhënë gazetarëve.
I pyetur në rast se po i përsëritet “sindromi i sezonit i tretë”, ku pretendohet se portugezi nuk arrin të fitojë asgjë, trajneri i Çellsit i ka kërkuar gazetarit që të kërkojë në “motorin” e kërkimit, “Google”, përpara se të bëjë pyetje idiote. “Sezoni im i tretë te Porto? Nuk e kisha një të tillë”, – tha portugezi.
“Nuk kisha sezon të tretë as tek Interi, – vijoi ai. – Tek Çellsi kam fituar “FA Cup” (Kupën e Anglisë) dhe “Carling Cup” (Kupën e Ligës Angleze), si dhe ishim në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Në sezonin e tretë te Reali i Madridit kam fituar Superkupën, humba në finalen e Kupës, si dhe ishim në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.”
“Kështu që para se të bësh pyetje idiote, kliko në “Google””, – shtoi Murinjo. Ai ka paralajmëruar se për ndeshjen kundër Makabit të mërkurën në mbrëmje, do të bëjë disa ndryshime në skuadër, duke paralajmëruar deri dje të “paprekshmit” se mund t’u rrezikohet vendi në formacion.