AlbanianSport.com 15.09.2015 18:20
ASNN – Kampionati Evropian i Basketbollit për Meshkuj, i njohur si “Eurobasket 2015”, luan sonte dy ndeshjet e para të çerekfinaleve, të cilat do të zhvillohen në Lilë të Francës. Kështu, duke nisur nga ora 18:30, Spanja përballet me Greqinë, në një duel midis dy rivaleve evropiane që synojnë ringritjen.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë sfidë pas fitoreve bindëse që arritën në turin e 16-shes. Spanjollët triumfuan me 14 pikë epërsi, 80-66, nda Polonisë, ndërsa nga ana e tyre, grekët ishin edhe më bindës ndaj Belgjikës, duke fituar me shifrat 75-54. Në duelin tjetër çerefinal, që luhet duke nisur nga ora 21:00, Franca përballet me Letoninë.
Vendasit synojnë ta mbajnë të paprekur statusin e favorites, e për më tepër në një veprimtari që fazën finale e zhvillon në shtëpinë e saj. Franca mundi Turqinë 76-53 në turin e 16-shes, ndërsa letonezët shtangën Slloveninë, duke e mundur 73-66 dhe duke arritur për herë të parë midis 8 më të mirave të kontinentit.
Dy duelet e tjera çerekfinale, Serbi-Republika Çeke dhe Itali-Lituani luhen nesër. Sikundër përgjatë gjithë zhvillimit të këtij kampionati, edhe çerefinalet e këtyre dy ditëve, por edhe gjysmëfinalet e 17 dhe 18 shtator dhe finalja e madhe e 20 shtatorit do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.