Adriatik Balla 15.09.2015 10:05
Klubi shkodran i kërkon federatës largimin e gjyqtarit që i “masakroi” ndaj Partizanit. Vllaznia nuk e ka përtypur dot atë që i ndodhi dy ditë më parë me Partizanin në kuadër të javës së tretë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ku humbi me rezultatin 1-2 dhe një nga golat e pësuar lidhej me një 11-metërsh të kontestueshëm. Klubi shkodran ka shpërthyer ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ka kërkuar në mënyrë ultimative që të përjashtohet nga drejtimi i ndeshjeve gjyqtari Kreshnik Cjapi, si njeriu-fajtor për humbjen e Vllaznisë, një gjyqtar që sipas klubit shkodran ka vendosur me dashje episodet në fushë dhe është bërë me dashje shkaktar i humbjes së Vllaznisë.
Nëse nuk shkarkohet Cjapi, Vllaznia shkon më tej, duke e lidhur FSHF-në drejtpërdrejt me prapaskenat e kurdisjeve të ndeshjeve, që do të thotë ndryshe përcaktojnë skuadrat që fitojnë dhe ato që zbresin nga kategoria. Vllaznia ka bërë një notë proteste, të cilën ia ka drejtuar FSHF-së, mbi ngjarjet që ndodhën në takimin e së dielës Vllaznia-Partizani. Klubi kuqeblu pretendon se gjyqtari Kreshnik Cjapi ka qene tendencioz, krejtësisht i qëllimshëm dhe dukshëm në dëm të Vllaznisë, çka është konstatuar edhe nga analiza e pamjeve filmike në emisionet e ndryshme sportive. Shkodranët pretendojnë se “nuk është dhënë një karton i kuq në dëm të një lojtari të Partizanit për gjest antisportiv”.
“Po ashtu, nuk u dha një 11-metërsh i pastër në favorin e Vllaznisë si dhe u dha një 11-metërsh i paqenë në favor të Partizanit, shoqëruar edhe me kartonin e kuq për Arbrin, çka bëri që ndeshja të prishej”, – thuhet në komunikatën e shpërndarë për shtyp dhe në formë kërkese ndaj FSHF-së nga ana e klubit shkodran. Më tej në këtë notë proteste parashtrohen pretendimet dhe shkeljet e gjyqtarit. “I gjithë ky presion i gjyqtarit, shoqëruar edhe me fyerje dhe ofendime të tij në adresë të futbollistëve tanë, bënë që ata në momentin e dhënies së 11-metërshit kundër nesh, shoqëruar edhe me dhënien e kartonit të kuq për Arbrin, të tërhiqen nga fusha e të shkojnë drejt stolit, me qëllim për t’u konsultuar me stafin teknik për veprimin që duhet të bënin më tej”, – thekson komunikata.
“Kjo sepse ishin të tmerruar nga padrejtësitë që po iu bëheshin megjithatë pa patur qëllim bojkotimin e ndeshjes. Në rrethana të tilla, KF Vllaznia kërkon dënimin maksimal të gjyqtarit Cjapi dhe përjashtimin e tij nga Kategoria Superiore, duke qenë se është përsëritës me gabime të tilla në shumë ndeshje të Vllaznisë dhe jo vetëm të saj. Natyrisht, duke menduar se veprime të tilla të këtij arbitri nuk janë të qëllimshme, por kanë ardhur nga paaftësia e tij. Nëse nuk merret masa ekstreme ndaj Cjapit, persona të caktuar në FSHF, përmes gjyqtarëve, komandojnë Kategorinë Superiore në Shqipëri”, – thuhet ndër të tjera në notën e protestës së Vllaznisë dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit.