Adriatik Balla 15.09.2015 07:05
Turqit e Beshiktashit do të jenë të enjten në “Elbasan Arena” me disa mungesa. Më i rëndësishmi është Oguz’han Ozjakup. Mesfushori, i cili cilësohet si një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit turk, u dëmtua në sfidën e luajtur në Stadiumin Olimpik “Ataturk”.
22-vjeçari do të detyrohet të qëndrojë të paktën një javë jashtë fushave të lojës, duke mos udhëtuar me pjesën tjetër të ekipit për duelin me kampionët e Shqipërisë. Njoftimi është dhënë në faqen zyrtare të klubit, ku konfirmohet se pas kontrolleve mjekësore lojtari duhet të stërvitet i diferencuar.
Mes lojtarëve të tjerë që trajneri Senol Gynesh nuk ka në dispozicion duelin me Skënderbeun janë Ramon Mota, Tolgaj Arsllan dhe Veli Kavlak, me këtë të fundit të papërfshirë në listën për Ligën e Evropës. Rreziku kryesor nga Beshiktashi përbëhet nga dy yjet e skuadrës, mesfushori Rikardo Kuarezma dhe sulmuesi shtatlartë gjerman Mario Gomez.
Këto mungesa e kanë qetësuar disi trajnerin Mirel Josa, i cili ka në plan lojë sulmuese dhe tentimin e fitores përballë turqve.