AlbanianSport.com 13.09.2015 20:05
ASNN – Partizani ka mundur Vllazninë 2-1 dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje me 7 pikë, pas Skënderbeut të vendit të parë që ka 9 pikë. Vllaznia kaloi e para në epërsi me anë të Krymit. Ndërsa për Partizanin barazoi Sukaj me 11-metërsh dhe Morini shënon golin e dytë. Ndeshja tjetër e javës së tretë të Kategorisë Superiore, Flamurtari-Laçi, u mbyll në barazim 0-0. Partizani merr kështu një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore, takim ky që u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pjesa e parë ka nisur mjaft mirë për shkodranët që arrijnë të realizojnë me anë të Krymit në minutën e 29-të. Në 39-tën, futbollistët shkodranë pretendojnë për një 11-metërsh në favor të tyre, por gjyqtari kryesor i takimit, Kreshnik Cjapi, vazhdon lojën. Vjen minuta e 40-të dhe Partizani sulmon dhe mbrojtësi i Vllaznisë, Polizoi Arbri e shoqëron topin me trup brenda zonës, por për kryesorin Cjapi, është prekje e topit me dorë. Karton i verdhë për Arbrin dhe menjëherë edhe i kuq, pasi beratasi e kishte marrë më parë një karton të verdhë, dhe 11-metërsh!
Protesta të futbollistëve shkodranë që vendosin të largohen nga fusha e lojës për disa minuta. Pas konsultimesh me stafin drejtues të skuadrës, Vllaznia u rikthehet lojës. Nga pika e bardhë godet Sukaj dhe rezultati barazohet në 1-1. Në pjesën e dytë Partizani është më kërkues nga golit, duke përfituar edhe nga epërsia numerike ndaj kundërshtarit. Sukaj shfaqet rrezikshëm në portën shkodrane, por gjuajtjen e tij portieri malazez e dërgon në goditje këndi. Në të 73-tën minutë, Raçiç ka rastin më të mirë për të kaluar Partizanin në epërsi.
Por ai nuk arrin të godasë si duhet topin dhe portieri i Vllaznisë e dërgon topin në goditje këndi. Duhej të vinte minuta e 81-të që Partizani të kalonte në epërsi me anë të italianit Morini. Me këtë fitore, Partizani ngjitet në vendin e dytë në renditje, me 7 pikë, dy pikë prapa Skënderbeut të vendit të parë, që ka 9 pikë të plota, pas tri ndeshjeve. Ndeshja tjetër e javës së tretë të Kategorisë Superiore, e luajtur të dielën pasdite, ka qenë ajo midis Flamurtarit dhe Laçit, që u mbyll në barazim 0-0.