Gjergj Vyshka 12.09.2015 07:05
Vazhdon të surprizojë qyteti i Burrelit me aktivitete për pingpongun. Pas disa edicionesh të BITT-it, apo quajtur ndryshe “Tribut Miqësie”, tani vjen në qytetin verilindor Kampionati Ballkanik për Veteranët. Lajmi i mirë erdhi dje gjatë një konference shtypi që u organizua në mjediset e Bashkisë Mat.
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Ballkanik të Pingpongut, Milorad Trpkovski, kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut Tonin Binoshaj dhe Elda Gjoka, presidente e “Genuine Effect”, sqaruan rreth përpjekjeve që kanë bërë për organizimin e kësaj veprimtarie.
Në fillim ish-kampionia e vendit për shumë vite në pingpong, Elda Gjoka, tha se vazhdon të punojë që vlerat, traditat dhe historia e krahinës së Matit të lartësohen. “Kemi zhvilluar BITT-in në këtë qytet dhe sportistë të ardhur nga vende të ndryshme kanë prekur bujarinë, mikpritjen dhe bukuritë e Matit”, ka thënë ajo.
“Janë pikërisht sportistët ata që promovojnë edhe vlerat turistike të një vendi”, -shtoi Gjoka, teksa falënderoi Unionin Ballkanik të Pingpongut, Bashkinë e Matit dhe Federatën Shqiptare të Pingpongut për mbështetjen e dhënë. Tonin Binoshaj theksoi se FSHP-ja e kishte të pamundur të organizonte një veprimtari të tillë për shkak të problemeve financiare që trashëgon.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Mat e vlerësoi si sukses organizimin e këtij kampionati në qytetin e Burrelit. “Sapo jemi vënë në dijeni nga Elda Gjoka që kjo veprimtari mund të organizohej në Mat ne kemi treguar gatishmërinë tonë për ta mbështetur atë. Vërtetë jemi një Bashki me probleme financiare, por jemi të ndërgjegjshëm se po mbështesim diçka që do t’i vlejë Bashkisë së Matit”, – përfundoi Rizvani.