AlbanianSport.com 11.09.2015 18:25
ASNN – Në Asamblenë e 5 shtatorit 2015 të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), trajneri i Tiranës së meshkujve, Arben Sako, propozoi që nëse dëshirojnë të promovojnë sportistët vendës, të vendosin heqjen e lojtarëve të huaj për një periudhë 2-vjeçare.
Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin se kur do të fillojë kampionati, pasi po mban pezull çdo gjë në planifikimet e tyre. Asambleja e pak ditëve më parë erdhi në një moment kritik për volejbollin shqiptar, ku ende nuk ka asnjë datë zyrtare për nisjen e sezonit të ri, madje edhe vetë Federata është jofunksionale.
Një tjetër çështje e rëndësishme financiare është ajo e shumës 2 milionë lekë (të vjetër) vendosur në Asamblenë e fundit, për transferimin e lojtarëve nga një ekip te tjetri. Kjo shumë nuk është pranuar nga vetë lojtarët, kryesisht nga vajzat, që kanë bërë edhe një peticion pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Megjithatë, me shumë gjasa, gjithë këto pikëpyetje do të marrin përgjigje më 4 tetor me zgjedhjet e parakohshme për president dhe kryesi, ku siç dihet, tashmë presidenti në detyrë, Adrian Doçi, nuk do të rikandidojë. Deri atëherë, volejbollistët duhet të presin, me shpresën e kahershme se gjërat do të rregullohen.