Gjergj Vyshka 11.09.2015 16:55
Promovohet në një ambient festiv dhe mes shumë figurave të dorezave shqiptare pjesa e tretë e këtij sporti shkruar me aq zell e dashuri nga Et’hem Ibrahimi. Premtimi i presidentit Kalivopuli: “Ju do të jeni kryesia e vërtetë e këtij sporti në vend”. Historia e boksit shqiptar dje ka marrë formën e saj zyrtare, ndërsa në mjediset e Bar “Basketbollit”, të një mjeshtri të shquar të sportit të koshit në vend si Muhamet Përmeti, është bërë promovimi i pjesës së tretë të këtij sporti.
Një pjesë e tretë e shkruar me aq zell e dashuri nga Et’hem Ibrahimi për të cilin kishin ardhur shumë miq që nga Todi Janku, Ismet Bellova, Ramiz Reka, Ismet Varfi, Liman Kulla, Anastas Kobuzi, Velçan Golemi, Kujtim Dema, Qani Mbroci. Por e veçanta e gjithçkaje, përtej pranisë së madhe të medias së shkruar dhe vizive, ka qenë prezenca e presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopuli, e cila duhet marrë jo vetëm si një vlerësim për punën e vyer të Et’hem Ibrahimi, por mbi të gjitha si një vlerësim për vlerat që boksi ka në gjirin e vet.
Një fotografi e të gjithë të pranishëmve ka qenë hapja e kësaj feste, ndërsa të gjithë i kanë kërkuar Et’hem Ibrahimit që të vazhdojë punën e tij për historinë e boksit shqiptar, tashmë me një pjesë të katërt e në vazhdimësi. “Ju falënderoj të gjithëve për ardhjen tuaj në këtë promovim të pjesës së tretë të historisë së boksit shqiptar, – ka thënë autori. – E vërteta është se jam përballur me shumë vështirësi në kryerjen e këtij misioni historik.”
“Por ama kam gjetur mbështetjen e të gjithë miqve të mi, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Pogradec e Shkodër, – ka vijuar Et’hemi. – Ndaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’iu falënderoj që jeni sot këtu.” Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopuli, i zgjedhur më 11 qershor 2015 do të deklaronte: “Kryesia e vërtetë e boksit jeni ju. Unë kisha ndërmend t’iu mblidhja, por u bë sebep Et’hem Ibrahimi me historinë e tij, të cilën duhet ta kenë zili dhe futbolli.”
“Edhe një herë të gjithë bashkë mund të bëjmë gjithçka të mirë për boksin shqiptar”, – ka shtuar kreu i organizmit që qeveris ringun shqiptar. E mandej kanë përshëndetur edhe Velçan Golemi, Kujtim Dema, Qani Mbroci dhe “i zoti i shtëpisë” Muhamet Përmeti. Përfundimi i gjithçkaje është shpërndarja e librit me autografin e autorit, si dhe një banket që kaloi në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe kjo është historia e vërtetë e boksit shqiptar.