Gjergj Vyshka 11.09.2015 14:40
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet profilit të vet në rrjetin social “Facebook”, ka lajmëruar se presidenti i Federatës Botërore të Sportit Shkollor, Loren Petrinka, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Jan Kolen, kanë qenë të pranishëm dy ditë në Shqipëri.
Ata kanë pasur një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Më pas janë takuar me ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. E jo vetëm kaq, por janë takuar me Komitetin Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe drejtorinë e sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Po kështu ata kanë qenë edhe në Universitetin e Sportit, ndërsa takimi ka rezultuar pozitiv për shkak të shkëmbimit të informacionit mes palëve. E tashmë të gjithë janë angazhuar për krijimin e Federatës së Sportit Shkollor, si dhe aderimin e saj në Federatën Botërore.