AlbanianSport.com 11.09.2015 13:55
Mediat ndërkombëtare vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje paraqitjes së Kombëtares kuqezi në Eliminatoret e Evropianit të vitit të ardhshëm dhe, pas rrjetit prestigjioz botëror “ESPN”, është një tjetër rrjet po aq prestigjioz, por me bazë në Evropë, “Eurosport”, që i thurr elozhe përfaqësueses së Shqipërisë. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i Eliminatoreve të “Euro 2016”-s, që do të zhvillohet në Francë, faqja në Internet e këtij rrjeti ka bërë një analizë të situatës për secilin grup eliminator.
Përsa i përket grupit I, aty ku gjendet edhe kombëtarja kuqezi, “Eurosport”-i sheh Shqipërinë me më shumë shanse sesa Danimarka për të kaluar në fazën finale. “Danimarka ka vetëm ndeshjen në fushë të huaj ndaj Portugalisë për të luajtur dhe e sheh veten 3 pikë pas Portugalisë dhe një para Shqipërisë, ekipe që kanë për të luajtur nga dy ndeshje për kokë”, shkruan “Eurosport”.
“Portugalisë i mjafton vetëm një pikë për kualifikimin matematikor dhe nëse danezët nuk i mundin portugezët, do të kalohen në renditje nga Shqipëria, nëse kjo e fundit fiton ndaj Serbisë, – vijon më tej analizën e tij rrjeti në fjalë. – Por, edhe në rast fitoreje ndaj Portugalisë, danezët mund të eliminohen sërish nëse Kristiano Ronaldo me shokë i marrin një pikë Serbisë në ndeshjen e fundit, ndërsa Shqipëria i fiton të dyja ndeshjet e mbetura (ndaj Serbisë dhe Armenisë).”
Dhe parashikimi i “Eurosport”-it është ky: Portugalia dhe Shqipëria në fazën finale të Evropianit.