AlbanianSport.com 11.09.2015 12:25
ASNN – Skënderbeu është skuadra e vetme shqiptare që ka arritur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës dhe, në 25 vjetët e fundit, ky është padiskutim një sukses i madh për futbollin shqiptar. Tashmë korçarët janë vendosur nga shorti në të njëjtin grup me Beshiktashin turk, Lokomotivën e Moskës dhe Sportingun e Lisbonës, skuadra shumë të forta dhe me eksperiencë ndërkombëtare dhe ky është një shans për “kampionen” e Shqipërisë.
Ndeshja e parë do të luhet më 17 shtator 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Beshiktashit dhe për këtë klubi korçar ka nxjerrë në treg biletat, me çmime të arsyeshme që për shumicën e tribunave nuk i kalojnë 7 mijë lekët e vjetra. Një çmim i tillë duket i pranueshëm po të mendohen biletat në fazën eliminatore në Ligën e Kampioneve, ku Skënderbeu në turin e tretë ndaj Milsamit dhe në “play-off” ndaj Dinamos së Zagrebit, arriti të “thithte” në stadium plot 12 mijë tifozë në secilin takim.
Kështu, kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen debutuese të Skënderbeut në fazën e grupeve të Ligës së Evropës ndaj skuadrës turke të Beshiktashit. Një një njoftim zyrtar, klubi juglindor kujton se të gjithë tifozët korçarë, por jo vetëm, mund t’i gjejnë këto bileta në pranë pikave të shitjes në Korçë te kancelaria përballë kinemasë së qytetit, në Tiranë tek Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” dhe Elbasan pranë Stadiumit “Elbasan Arena”.
Biletat në Tribunën kryesore do të variojnë nga 3 mijë deri 5 mijë lekë, ndërsa në Tribunën VIP 8 mijë Lekë. Në Tribunën E një biletë kushton 700 lekë ndërsa në sektorët F dhe D, 600 Lekë. Çmimi ulet në 400 Lekë në tribunat pas porte, ndërsa tifo-grupi “Ujqërit e Dëborës” do të akomodohet në Tribunën C2. Drejtuesit e Skënderbeut kanë vendosur autobusë falas pa limit për të gjithë tifozët që do të nisen nga Korça për ta përgjysmuar koston financiare për ndjekjen e kampionëve të Shqipërisë në “Elbasan Arena”. Për sfidën me Beshiktash do të mungojë sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Hamdi Salihi.