AlbanianSport.com 11.09.2015 09:25
ASNN – Alda Shabanaj për femra dhe Franc Ashiku për meshkuj janë kampionët e ri të Shqipërisë në shah. Ashiku ka triumfuar pas dy ndeshjeve shtesë ndaj Ilir Seitajt, ndërsa Shabanaj ka qenë më komode në fitoren e saj. Ajo që ra në sy, ishte niveli i lartë i konkurrencës, ndërsa përveç trofeve, për fituesit janë shpërndarë edhe shpërblime monetare.
Kampionati Kombëtar Individual i Shahut ka ulur të enjten siparin, duke kurorëzuar Franc Ashikun si “kampion” për meshkuj, dhe Alda Shabanajn kampione të femrave. Ashiku ka triumfuar pas dy ndeshjeve shtesë ndaj Ilir Seitajt, ndërsa Shabanaj ka qenë më komode në fitoren e saj. Duke folur për Televizionin Shqiptar, Shabanaj, ka rrëfyer emocionet e triumfit.
Ajo ka shprehur kënaqësinë që titulli mbeti “brenda familjes”, pasi kampione e vitit të shkuar ishte e motra, E. Shabanaj. Ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare e Shahut, Majlinda Pilinçi, vlerësoi nivelin e konkurrencës, duke theksuar se duhet më shumë punë për të rritur nivelin e pjesëmarrjes së femrave. Përveç trofeve, për fituesit janë shpërndarë edhe shpërblime monetare.